Gjatë vitit 2024, importet e barnave arritën vlerën e 281 milionë eurove, duke shënuar një rritje prej 5% krahasuar me vitin e mëparshëm. Ndërkohë, fondi që shteti vuri në dispozicion për rimbursimin e barnave ishte rreth 120 milionë euro, ose 12 miliardë lekë. Kjo do të thotë se qytetarët mbuluan nga xhepi plot 160 milionë euro për nevojat farmaceutike.

Në krahasim me një vit më parë, fondi shtetëror për rimbursimin e barnave mbuloi vetëm 42.6% të importeve, një ulje nga 45% që ishte më parë. Kjo situatë reflekton një tendencë shqetësuese ku shpenzimet nga qytetarët për barna po rriten vit pas viti, ndërsa mbështetja nga shteti mbetet e kufizuar.

Importet farmaceutike janë rritur me 16% gjatë pesë viteve të fundit, nga 2019 në 2024. Ndërkohë, nevojat për trajtime shëndetësore po shtohen për shkak të një popullsie që po plaket. Por megjithë këto sfida, financimi publik për barna vazhdon të mbetet i ulët.

Shqipëria, një nga vendet më të varfra në Europë, nuk ka arritur ende të sigurojë akses të gjerë në terapitë më moderne. Edhe pse Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë këshilluar rritjen e buxhetit për shëndetësinë dhe arsimin, mbështetja financiare mbetet e kufizuar.

Sipas një ankete të zhvilluar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), 24% e shqiptarëve deklaruan se nuk mund të përballojnë shpenzimet për kujdes shëndetësor rutinë dhe trajtime. Kjo ishte përqindja më e lartë në Rajon, krahasuar me Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut (16%), Malin e Zi dhe Serbinë (20%), si dhe Kosovën (9%).

Arsyeja kryesore për këtë shqetësim lidhet me të ardhurat e ulëta dhe mbulimin e kufizuar nga fondet publike për barnat. Shumë pacientë me sëmundje kronike dhe të rralla paguajnë vetë për terapitë e tyre, pasi ato nuk përfshihen në listën e rimbursimeve.

Në vitin 2024, buxheti për shëndetësinë arriti në 75.9 miliardë lekë, një ulje krahasuar me 77.9 miliardë lekët e parashikuara më parë. Ndërsa nevojat për trajtime shëndetësore rriten, financimet publike për këtë sektor po zgjerohen me ritme më të ngadalta se shpenzimet e përgjithshme të shtetit.

By Editor