Nga Arilda Lleshi
Dje Kuvendi i Shqipërisë i kaloi ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor për votimin nga jashtë, por kjo nuk ka qenë aspak e qartë nga fillesa. Për votën e diasporës ka dekada që flitet, premtohet që nga 2009, u krijua Ministria e Diasporës, u thirrën samite diaspore, u organizuan mitingje në diasporë, gjoja u realizua në 2021, u dërgua në Gjykatë Kushtetuese dhe u fitua si çeshtje, por sërish mungonte vullneti për ta realizuar e deri para 1 jave nuk ishte e qartë çfarë do ndodhte.
Pse u realizua votimi nga jashtë tani?
Një analizë objektive mbi shkaqet e fitores do ishte, përveç se e ndershme dhe e drejtë për të gjithë të përfshirët, e nevojshme për të kuptuar si mund ta përsërisim këtë fitore. Votimi nga jashtë u mundësua si rezultat i përpjekjeve institucionale/ligjore dhe mobilizimit politik.
Përpos përpjekjeve individuale të disa organizatave dhe individëve nga diaspora ndër vite, kanë qenë 3 aktorë që janë angazhuar më aktivisht për këtë çeshtje.
Në 2021, parlamenti pretendonte se i kishte bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, por organi politik i KQZ-së, Rregullatori, bllokonte aktet nënligjore, duke e pamundësuar kështu votimin nga jashtë. Në komunikim me KQZ-në, organizata Diaspora për Shqipërinë e Lirë e dërgon çeshtjen në Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata vendos se parlamenti ju ka cënuar emigrantëve të drejtën për të votuar dhe i jep parlamentit 1 vit afat për ta plotësuar kuadrin ligjor. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese bëhet gur themeli për kauzën.
Një vendim i Gjykatës Kushtetuese do duhej të mjaftonte në një shtet ligjor, mirëpo në rastin tonë, vendimi nuk ishte i mjaftueshëm në vetvete. Vendimi për mandatin e Olta Xhaçkës është një rast konkret se si parlamenti i ka hedhur poshtë (ose të paktën zvarritur) vendimet e kësaj Gjykate. Pas vendimit për votimin nga jashtë, përfaqësuesit politikë janë shprehur ndër të tjera se “nuk e kuptojnë çfarë kërkon Gjykata se kuadri ligjor është hartuar në 2021, se vendimi i Gjykatës është i paqartë, se negociatat politike për reformën zgjedhore janë mbi vendimet e Gjykatës, se nuk është e vërtetë që zgjedhjet e 2025 do kontestoheshin po të mos realizohej votimi nga jashtë.” Deri dje, parlamenti ishte 195 ditë në shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu kishte vendim të Gjykatës Kushtetuese edhe për herësin, por në mungesë të një presioni më të madh publik, rezultati përfundimtar ishte tepër i keq.
Aktivitetet mobilizuese të Shqipëria Bëhet dhe #duatevotoj2025 luajtën rol ndërgjegjësues për njerëzit e presionues për vendimmarrësit. Shqipëria Bëhet mblodhi 21,000 firma në Shqipëri e organizoi 9 takime në diasporë. Nisma #duatevotoj2025 organizoi 10 protesta dhe disa aksione në diasporë dhe 1 protestë në Tiranë, duke e risjellë çeshtjen në diskursin publik. Nisma #duatevotoj2025 krijoi një komunitet aktiv politik të diasporës, që i ndoqi vendimmarrësit kryesorë hap pas hapi duke jua demaskuar lojrat e tyre politike dhe kundërshtuar deklaratat e papërgjegjshme.
Kryetari i KQZ-së është një tjetër aktor, që brenda kornizave institucionale, ka treguar vullnet për ta shtyrë përpara këtë çeshtje, duke komunikuar me aktorët kryesorë, duke dërguar propozime konkrete e duke presionuar për afatet.
Frika se zgjedhjet e ardhshme mund të kontestoheshin ligjërisht, por edhe frika se do të shikoheshin qartë për atë që janë-pengues të demokracisë dhe progresit- i shtyu ata që të arrinin një konsensus.
Përpjekjet për votën e diasporës që kulminuan me fitore tregojnë se kur njerëzit mobilizohen sinqerisht për kauza, ato mund të fitohen. Me të vërtetë sot qytetarët shqiptarë gjenden para një pushteti të egër që i shtyp, por le të mos biem pre e retorikës disfatiste. Ajo fryhet qëllimisht nga politikanë të pasinqertë që në mungesë të sinqeritetit të tyre, mbjellin panik që më pas ta shesin veten si zgjidhjen e vetme përballë të keqes. Para mobilizimit popullor, asnjë pushtet nuk mund të qëndrojë. Historia dëshmon për rëninen e diktaturave më të egra. Jetojmë në shekullin e 21-të në kontinentin e Europës ku liria e individit dhe demokracia janë vlera të pakontestueshme e s’mund të kthehemi kurrë më pas në kohë. Duhet vetëm besim, atdhedashuri dhe organizim!