Antilian Koxhaj i përket brezit të dytë të emigrantëve shqiptarë në Greqi.
I diplomuar për Shkenca Politike në Universitetin e Kretës, Koxha kandidon për deputet në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Greqi në datën 21 maj si kandidat i SYRIZA-s.
Në parashtrimin e tij, ku kërkoi votëbesimin e zgjedhësve, Koxha kujtoi se vjen nga një familje emigrantësh shqiptarë nga Mallakastra, duke theksuar se rritja e përfaqësimit të emigrantëve në jetën politike greke, do të sjellë dinamika të reja në realitetin politik të këtij vendi.
“Jam Antilian Koxhaj, 31 vjeçar emigrant i brezit të dytë nga Shqipëria. Në Greqi kam shkuar në vitin 2000, ende i mitur, kur bashkë me familjen time u larguam nga Greshicë, nga Ballshi për një jetë më të mirë. Vitet e fëmijërisë i kalova në fshatin Meksiates, afër qytetit Lamia. Fëmijë mësoja shumë, lexoja shumë, isha nxënës ekselent, ndërsa në vijim studiova për Shkenca Politike në universitetin e Rethimnos, në Kretë. Pas bachelor, kam bërë dy master, një në universitetin Kapodistrian të Athinës me temë Shkenca Politike dhe Sociologjia dhe më pas një të dytë në universitetin Pandios, po të Athinës, në degën e Shkencave Sociale.
Prindërit tanë kanë kaluar vite tepër të vështira, kanë bërë mijëra sakrifica për të rritur fëmijët e tyre sa më mirë. Brezi i dytë i emigrantëve, të lindurit e të rriturit në Greqi kemi arritur një nivel tepër të lartë integrimi në shoqërinë vendase, për vetë faktin se kemi ndjekur arsimin grek, kemi kryer studime të larta, punojmë e jetojmë këtu. Ta them thjesht, jemi një pjesë e pandarë e mjaft vitale e shoqërisë vendase.
Në politikë u angazhova që student në Kretë, tashmë ka kaluar një dekadë aktivitet politik në rininë e partisë progresive të majtë SYRIZA.
Një tjetër aktivitet tepër i rëndësishëm është themelimi para mbi një viti i Rrjetit të të Rinjve me Origjinë Emigrante “Horizonti”, me qëllim luftën kundër racizmit e diskriminimit. Në organizatën tonë të gjithë njerëzit duhet të jenë e të trajtohen si të barabartë, të kenë shanse të barabarta pavarësisht origjinës, ngjyrës, besimit fetar. E gjithë përpjekja jonë synon në një shoqëri solidare për të gjithë, pa dallim.
Kam zgjedhur partinë SYRIZA pasi në Greqi është pikërisht partia që mbështet njerëzit e thjeshtë, pa bërë dallime e diskriminime, partia që ka prioritet shtresat më në nevojë të shoqërisë. Në SYRIZA ne luftojmë çdo ditë për drejtësinë sociale, për demokracinë pa kushte. Bazuar në këto parime, me të cilat bie shumë dakort, pasi besoj në një botë më të drejtë, pa terrenin e përjashtimit social, ishte normale të zgjidhja të kandidoja me këtë parti.
Përse kërkoj një mandat si deputet?
Unë jam një njeri i ri, i rritur në Greqi, studiova këtu, u formova këtu, punoj dhe jetoj çdo ditë si gjithë qytetarët e këtij vendi, përballem me të njëjtat probleme e situata të vështira. Fatkeqësisht, vitet e fundit po përballemi me kriza të shumta në shumë aspekte. Krizë në Arsimin e Shëndetësinë publike, shtrenjtësi e papërballueshme, papunësia sidomos tek të rinjtë është në nivele tepër të larta, po përjetojmë një krizë të thellë në sferën e strehimit. Këto probleme duhen trajtuar tani, për të ndryshuar nivelin e jetesës, për një të nesërme më të mirë për të gjithë.
Gjithashtu, duhet të shtoj se në çështjen e emigracionit, bëhen aq padrejtësi vite me radhë, që duhen përballuar sa më shpejt. Referohem në lejet e qëndrimit, në marrjen e nënshtetësisë greke, në çështjen e pensionit. Kështu që qëllimi im është pikërisht ky: të jetoj në një vend me drejtësi sociale, pa diskriminime, me shanse të barabarta.
Në këto zgjedhje historike për Greqinë, kur përplasen dy pole të kundërta, shoqëria kërkon haptazi një shtet social, ku aksesi në shanse të jetë i hapur për të gjithë, jo vetëm për të pasurit apo të fuqishmit.
Tre çështjet bazë të komunitetit emigrant. Emigrantët ndodhen tashmë mjaft dekada në Greqi, ku përbëjnë një pjesë vitale të shoqërisë vendase. Ka ardhur koha që shteti grek të ndalë politikat prodhuese të përjashtimit social dhe të nxisë proceset e gjithëpërfshirjes dhe të integrimit. Çështjet që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, për t’i dhënë fund situatave të shumëpërsëritura e padrejtësive shumëvjeçare, janë tre:
– Lehtësimi i procedurës për marrjen e lejeve të qëndrimit, eliminimi i burokracisë dhe vonesave të pajustifikueshme.
– Lehtësimi i procedurës për marrjen e nënshtetësisë, konkretisht në provimin e gjuhës dhe kulturës greke, ku pyetjet kapin kufijtë e absurditetit si dhe ripërshtatje e kritereve ekonomike.
– Rivlerësimi i çështjes së pensioneve, për të çrrënjosur përfundimisht çdo padrejtësi. Sidomos kjo çështje është shumë e gjerë, mjaft preokupuese për shumicën e emigrantëve që jetojnë me vite në Greqi e kanë arritur të jenë tepër korrektë me detyrimet ndaj shtetit grek. Duhet patjetër të rishqyrtohet çështja, pasi për momentin vendimi në fuqi parashikon qëndrim të përhershëm në vend mbi 30 vite. Por legalizimi në Greqi filloi pas vitit 1998, domethënë sot plotësohen vetëm 25 vite, një kusht tepër i padrejtë për një kategori mjaft të gjerë qytetarësh që kontribuojnë çdo ditë në ekonominë e vendit.
Në datën 21 maj votojmë për kërkesat e mësipërme, por jo vetëm!
Ne duam një shtet që do të mbrojë shtresat vulnerable, të ofrojë arsim publik dhe shëndetësi publike FALAS, një shtet ku ligjet të kenë të njëjtën fuqi për të gjithë qytetarët e vendit.
Unë ftoj gjithë emigrantët që kanë të drejtë vote, ta ëushtrojnë këtë të drejtë. Të votojnë, pasi vetëm kështu mund të ndryshojë vendi ku jetojmë, mund të ndryshojmë realitetin tonë e të nesërmen tone.” – Iu drejtua Koxha zgjedhësve grekë.