Nga Hasan Bello
Një nga politikat e shtetit shqiptar në vitet ’30, kur bëhej numërimi i popullsisë ose regjistrimi i saj në zyrat e gjendjes civile, ishte shqiptarizimi i patronimeve (mbiemrave).
Në fakt, procesi i purifikimit të mbiemrave të shqiptarëve kishte filluar që në periudhën e pushtimit austro-hungarez, në vitet e Luftës së Parë Botërore. Në planet e saj afatgjata, Vjenës i interesonte ekzistenca e faktorit shqiptar në Ballkan si barrierë ndaj invazionit sllav. Prandaj, gjatë regjistrimit që administrata ushtarake austro-hungareze i bëri popullsisë në vitin 1918, hoqi nga mbiemrat e nënshtetasve shqiptarë prapashtesat “iq, viç, ev, os, is, dhis, aqi, ev, of”. Ky kriter u ndoq edhe nga shteti shqiptar.

Kështu, në një qarkore të 4 prillit 1934, që zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Rauf Fico, i drejtoi të gjitha prefekturave, urdhërohej që, për arsye se këto prapashtesa nuk përkonin me etimologjinë e emrave dhe mbiemrave në gjuhën shqipe dhe me rregullat e saj gramatikore, të ndiqeshin disa kritere.
Me rastin e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë, duhej t’u komunikohej të gjithë nëpunësve që ishin ngarkuar me këtë detyrë, që nënshtetasit shqiptarë që mbanin akoma mbiemrat me prapashtesat e mësipërme t’i ndërronin ato me prapashtesat “aj, i, a”. Për shembull: “Dervishoviç – Dervishaj”, “Staniç – Stani”, “Miltiadhu – Miltaj”, “Koliqi – Kolaj”, “Belkof – Belkaj”, “Dimitriadhi – Dimitraj”, “Kristoforidhi – Kristofori”, “Andriev – Andrea”, “Llukaçevi – Llukaçaj”, “Osmanagiq – Osmanaj”, “Lazarides – Lazarej”, “Buliqi – Bulaj”, “Sukniqi – Sukaj”, “Mandiqi – Mandia”, “Pappas – Papa”, “Stavropullos – Stavraj”, etj.
Nëpunësit e administratës shqiptare, tani e tutje, duhej të kishin kujdes që gjatë lëshimit të pasaportave, letërnjoftimeve, akteve të lindjes, akteve të vdekjeve, dëshmive të martesave dhe të çdo akti tjetër, të mos i shkruanin mbiemrat e nënshtetasve me prapashtesat e përmendura. Kjo procedurë duhej ndjekur edhe në rastet e përpilimit të dokumentacionit shtetëror dhe atij privat, siç ishin marrëveshjet kontraktuale, etj.
Zyrat e shtetit nuk duhej të pranonin asnjë lutje apo shkresë që mbarte mbiemra të kësaj natyre. Për zbatimin e kësaj qarkoreje, duhej të viheshin në dijeni pleqësitë e lagjeve dhe fshatrave, si dhe zyrat noteriale, ku qarkullonte një sasi e konsiderueshme dokumentacioni. Por me rëndësi ishte pika që theksonte se këto kritere duhej të ndiqeshin edhe nga institucionet arsimore, të cilat nuk duhej të regjistronin asnjë nxënës me mbiemra që binin ndesh me këtë politikë.

Këtu nuk bënin përjashtim as nëpunësit, të cilët, më shumë se askush tjetër, duhej të merrnin masa për ndryshimin e mbiemrave.
Një aspekt tjetër i kësaj politike ishte edhe shqiptarizimi i emrave të hoteleve, kafeneve, dyqaneve, magazinave, kompanive private, etj., që mbanin tabela ose reklama me prapashtesat “iç, viç, is, dhis, pullos, aqi, ev, of”, të cilat duhej të ndryshoheshin me emra që mbaronin me “aj, i, a”.
Politika të ngjashme me shtetin shqiptar në këtë periudhë ndoqën të gjitha shtetet e sapokrijuara.