Nga Sebastian Zonja
Që nga vitet ’90 e deri më sot, çështja e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës është kryetemë e politikës shqiptare në rajon. Sado që klasa politike në Tiranë është munduar ta kamuflojë këtë çështje parësore të interesit tonë kombëtar duke i vënë përballë integrimin evropian, sërish, kur Tirana e nxirrte nga dera, Kosova hynte nga dritarja.
Në vitet ’90, ndërsa studentët dhe klasa politike ndërtoi narrativën se e donte Shqipërinë si gjithë Evropa, Kosova doli përpara duke thënë se kërkonte pavarësinë me referendum.
Në vitet 2000, ndërsa klasa politike dhe Akademia e Shkencave u angazhuan për ta lënë Kosovën krahinë autonome nën Serbi, nisi lufta çlirimtare.
Në vitin 2010, ndërsa Kosova shpalli pavarësinë, elita politike në Tiranë u harrua pas Bashkimit Evropian dhe çeljes së vizave.
Në vitin 2020, teksa Kosova kërkon të shtyjë përpara shtetësinë e saj, Tirana zyrtare angazhohet për ta ndarë copa – copa territorin e fituar me luftë.
Gjatë gjithë këtyre dekadave kuptojmë se në interesin kombëtar të shqiptarëve ishte pavarësia e Kosovës dhe njohja e shtetësisë së saj ndërkombëtarisht. Vëmë re, me keqardhje, se klasa politike në Tiranë ka zbehur këtë temë qëndrore të interesit kombëtar shqiptar për interesa të vetat korruptive për me qëndru sa më gjatë në pushtet, për interesa të faktorit serb në Ballkan dhe për arsye të miopisë së vetë politike sepse nuk sheh më larg se katër vjet qeverisje.
Aktualisht, Tirana zyrtare nuk projekton asnjë fuqi në Ballkan. Gjatë dekadës së fundit të qeverisjes Rama, përdorimi i politikës së jashtme në funksion të politikës së brendshme për të qëndruar në pushtet sa më gjatë, ka sjellë defaktorizim të Tiranës në rajonin tonë.
Greqia
Fqinji ynë që është pjesë e Bashkimit Evropian nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në funksion të rritjes së mbështetjes së brendshme, së fundmi, qeveria Rama mori pozicione nacionaliste përball Athinës. Ndërsa referatet e Edi Ramës në Athinë tingëllojnë bukur për folklorin në Tiranë, duhet kuptuar se kjo shkon në dëm të interesit tonë kombëtar për të çuar përpara njohjet ndërkombëtare të Kosovës dhe stabilizimin e Ballkanit.
Gazetari grek Takis Mihas shkruan për aleancën që ka Athina dhe Beogradi në Ballkan. Përballë kësaj aleance, Tirana zyrtare ka qindra mijëra emigrantë në Athinë ndërsa në Shqipëri jeton një minoritet i konsiderueshëm grek. Në këtë aspekt, është e rëndësishme që Tirana të ndërtojë marrëdhënie sa më të mira me Greqinë si vend i Bashkimit Evropian dhe si fqinj për të çuar përpara njohjen e Kosovës dhe izolimin e fuqisë shoviniste të Serbisë në rajon. Por kryeministri Edi Rama zgjedh që të presë fijet me Athinën në emër të një fryme dhe rryme mendimi që nuk ka asnjë bazë brenda interesit tonë kombëtar.
Maqedonia e Veriut
Aktualisht, Shkupi ka ndërmend që të bllokojë punimet për Korridorin Tetë që shkon nga Adriatiku në Det të Zi, duke favorizuar linjën e komunikimit mes Beogradit dhe Selanikut. Në esencë kjo tregon një problem të dyfishtë të diplomacisë së Edi Ramës me Shkupin:
- Tirana zyrtare nuk ka pika kontakti me Sofjen në Bullgari për të ndërtuar një trekëndësh që do të izolonte interesat shoviniste serbe në Ballkan.
- Tirana zyrtare nuk ka fuqi në Shkup, pavarësisht se shqiptarët janë faktor shtetformues aty. Mospjesëmarrja e tyre në struktura të sigurisë dhe financave të shtetit tregon se sa të nëpërkëmbur janë shqiptarët në shtetin e tyre. Po ashtu, fakti që Tirana nuk ka asnjë investim të rëndësishëm ekonomik në Maqedoni tregon sa të dobët jemi në ndikim te fqinji. Ajo që e fuqizon një shtet është ekonomia prodhuese, ndërkohë që Edi Rama dhe miqtë e tij biznesmenë nuk kanë linja prodhimi përveçse ndërtimit të pallateve dhe qëndrave tregtare.
Mali i Zi
Aktualisht, Podgorica, nëse dëgjojmë opozitën e atjeshme është duke rënë nën sferën e influencës së Serbisë. Edhe me Malin e zi, vonesa në ndërtimin e infrastrukturës lidhëse tregon mungesën e qartësisë që ka Edi Rama përballë interesave kombëtare të shqiptarëve në rajon.
Bosnje dhe Hercegovina
Më herët kishim ambasadë në Bosnjë dhe Hercegovinë, por qeveria Rama e pa të paarsyeshme për të pasur ambasadë në këtë vend. Nëse marrëdhënia trekëndore mes Sarajevës dhe Zagrebit do të ndikonte për të përmbajtur fuqinë shovene serbe, Edi Rama e ka parë të paarsyeshme një lëvizje të këtillë.
Kuptojmë se përgjatë kësaj dekade, qeveria Rama ka ecur kuturu, pa ndonjë plan se ku do të shkojmë, çfarë fuqie do të projektojmë në rajon dhe aleancat që do të ndërtojmë. Shohim se Bashkimi Evropian është shumatore interesash të vendeve të veçanta që e përbëjnë, ndërsa aleancat janë ato që projektojnë më shumë fuqi brenda unionit.
Nëse nuk ka qenë në fokusin e kësaj qeverisjeje forcimi dhe avancimi i shtetësisë së Kosovës që është në interesin tonë kombëtar, në të njëjtën kohë as hyrja në Bashkimin Evropian duke parë vonesat në reforma, më thoni se cilit interes apo rryme është duke i shërbyer kjo qeveri, se tonit me ç’duket jo?