Nga Arilda Lleshi

Shteti i së drejtës do të thotë sundimi i ligjit të drejtë, për të gjithë njësoj. Pra, ka dy parime: drejtësinë dhe barazinë para ligjit. Ndryshon nga shteti ligjor (i sistemeve autokratike dhe diktatoriale), ku ligji zbatohet, por është i padrejtë. Në komunizëm patëm shtet ligjor. Në demokraci nuk kemi as shtet ligjor. Populli ynë është rebel, por kjo sepse nuk ka pasur kurrë një lidership legjitim, një kontratë sociale me udhëheqësit e tij. Ndryshimi i sistemit në vitin 1991 dhe ngjarjet e vitit 1997 kanë krijuar një farë vakumi të shtetit, por që mund të ishte rikuperuar nga një lidership i përgjegjshëm. Paligjshmërinë në vendin tonë e inkurajon dhe e mbron lidershipi politik, si një sistem të nevojshëm për të ruajtur pushtetin.

Kryeministri ka 12 vite në pushtet. Po të kishte qenë vullneti i tij, ai do ta kishte luftuar paligjshmërinë. Krejt e kundërta ka ndodhur. Kryeministri qëndron në pushtet përmes një aleance me kriminelë dhe oligarkë, që e ka gërryer shtetin, ndërkohë që, për sy e faqe, forcën e shtetit e ka treguar me të dobëtin: me kioskat, me shitësit e moshuar në rrugë, me të varfërit që nuk paguajnë dot dritat. Kur ndërtohen kate pa leje në mes të Tiranës e në bregdet, që më pas legalizohen, por shemben disa shtëpi druri në një zonë që s’ka asnjë aktivitet tjetër ekonomik, ky nuk është as shtet ligjor, e jo më një shtet i së drejtës. Një qeveri që ta vështirëson zhvillimin e pronës, që të harron fare si zonë, nuk të ndalon në hapat e para të investimit dhe kujtohet vetëm për të të shkatërruar, është e padrejtë. Për më tepër, ky veprim duket se lidhet me planin e Kryeministrit për turizmin malor, me “Paketën e tij të Maleve”, që synon t’ia japë tokën disa investitorëve strategjikë të zgjedhur prej tij, ashtu siç bëri në jug. Një forcë e tillë arbitrare, që ndonjëherë duket sikur vjen veç prej luhatjes së humorit të liderit në mëngjes e ndonjëherë nga ndonjë vëgim urbanistik, veç sa e revolton qytetarin. Kurrsesi nuk e edukon atë apo e bën qytetar të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm, bashkëthemelues të një shteti të së drejtës.

E zemë për një moment se pushteti nuk është arbitrar, se ligji është i barabartë për të gjithë. Sipërmarrësit e Thethit kanë ndërtuar pa leje dhe ti, si qeveri, përballesh me një situatë të tillë. Sigurisht, një qeveri udhëhiqet nga parimi i zbatimit të barabartë të ligjit. Ama qëllimi primar i çdo qeverie është mirëqenia e shtetasve të saj. Në një zonë që ti e ke harruar, në një zonë ku u ke vështirësuar banorëve autoktonë marrjen e çertifikatave të pronësisë për tokat e tyre dhe lejeve të ndërtimit, ku banorët, ndonëse në paligjshmëri, por në tokat e tyre, kanë vendosur të investojnë për të nxjerrë jetesën – çfarë është më e logjikshme: t’ua shkatërrosh edhe atë pasuri që kanë ndërtuar? A e shkatërron shtetin dikush si Klodian Harusha, që është kthyer nga emigrimi me disa kursime për të investuar në tokën e tij? Klodiani duhej të ishte inkurajuar që në fillim, por tani që e ke aty, do t’ia shkatërrosh atë që ka ndërtuar me kredi dhe ta çosh përsëri në emigracion? Edhe në rastin më të mirë, ku qeveria ka si hall kryesor paligjshmërinë, ajo po mendon për shtetin ngushtësisht, si ndëshkues, e jo si zhvillues të mirëqenies së shtetasve të tij.

By Editor