Ndryshimet kanë kryesisht qëllim të shtrëngojnë kriteret që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave.
– Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren për “Për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor”, që forcojnë kriteret e licencimit dhe të mbikëqyrjes së këtyre institucioneve financiare. Ndryshimet kanë kryesisht qëllim të shtrëngojnë kriteret që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave.
Projektrregullorja parashikon që kapitali minimal i kërkuar për licencimin e këtyre zyrave do të dyfishohet, nga 2.5 milionë lekë në 5 milionë lekë. Projektrregullorja parashikon që çdo pagesë e kapitalit fillestar minimal, çdo shtesë e mëvonshme e tij si dhe çdo ndryshim në strukturën e kapitalit shoqërohet me paraqitjen në Bankën e Shqipërisë të informacionit lidhur me burimin e krijimit të këtij kapitali.
Banka e Shqipërisë ka të drejtë të kërkojë sqarime dhe të bëjë verifikime të mëtejshme lidhur me burimet e krijimit të fondeve që do të shërbejnë si kapital fillestar minimal ose si shtesë e mëvonshme e tij. Gjithashtu, projektrregullorja vendos për herë të parë limite mbi veprimet në para fizike të kryera nga zyrat e këmbimit. Subjekti i licencuar, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së këmbimit valutor nuk do të lejohet të mbajë në arkë vlera monetare (cash) mbi baza ditore, më të larta se vlera e kapitalit fillestar minimal.
Gjithashtu, zyrat e këmbimit nuk do të lejohen të kryjnë transaksione në para fizike, të cilat tejkalojnë një shumë prej një milion lekësh ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, të kryera në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhur me njëritjetrin. Transaksionet që tejkalojnë shumën një milion lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, duhet kryhen nëpërmjet llogarive bankare ose llogarive të pagesave.
Në listën e institucioneve që do të konsultohen nga Banka e Shqipërisë gjatë shqyrtimit të kërkesës për licencim, do të shtohet edhe Agjencia e Inteligjencës Financiare, përveç institucioneve të tjera të parashikuara edhe në kuadrin ekzistues, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Autoriteti i Konkurrencës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Tatim Taksave, etj.
Përveç kërkesave të rregullores ekzistuese, projektrregullorja e re parashikon që në shqyrtimin e kërkesës për licencim të zyrës së këmbimit valutor Banka e Shqipërisë do të vlerësojë përshtatshmërinë, reputacionin e mirë dhe integritetin e aksionerit/ortakut, pronarit përfitues dhe administratorit të subjektit gjatë momentit të licencimit, si dhe sa herë që ka ndryshime në përbërjen e strukturës së pronësisë dhe organeve drejtuese gjatë ushtrimit të veprimtarisë.
Për qëllime të rregullores, “reputacion i mirë” i referohet reputacionit të aksionerit/ortakut, pronarit përfitues dhe administratorit të subjektit, i cili duhet të jetë i karakterizuar nga etika profesionale dhe integriteti financiar, si dhe përputhshmëria me kuadrin ligjor e rregullativ.
Një aksioner/ortak, pronar përfitues apo administrator do të konsiderohet të ketë reputacion të mirë, nëse respekton kuadrin ligjor e rregullativ në fuqi, përfshirë ato që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit;nuk ka rekorde kriminale të lidhura me krime financiare, aktivitete të paligjshme ose shkelje të rënda ligjore; ka qëndrueshmëri financiare dhe nuk është i përfshirë në çështje financiare ose ligjore të rëndësishme që mund të dëmtojnë reputacionin ose besueshmërinë dhe nuk është subjekt i hetimeve ose sanksioneve për mosrespektimin e kuadrit ligjor e rregullativ të zbatueshëm.
Projektrregullorja parashikon gjithashtu rritje të vlerës maksimale të gjobës për shkeljet të kuadrit ligjor dhe rregullator. Në rregulloren e mëparshme, gjobat për subjektin ose administratorin parashikoheshin nga 20 mijë lekë deri në 100 mijë lekë, ndërsa me rregulloren e re gjobat mund të arrijnë deri në 1 milion lekë.
Me rregulloren aktuale, Banka e Shqipërisë pezullon licencën e zyrës për 60 ditë, në rast se ka prova të besueshme që subjekti është përfshirë në aktivitete të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Me projektrregulloren e re, propozohet që pezullimi i licencës të bëhet pa afat.
Aktualisht në vendin tonë rezultojnë gjithsej të licencuara 604 zyra të këmbimit valutor. Sipas raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2024 u vendosën masa administrative (gjoba) për 12 zyra këmbimit valutor dhe revokim licence për njërën prej tyre./ Monitor.al