Gjykata ka shtyrë seancën në themel për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, dhe 29 persona të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje gjyqësore.
Në seancë ishin të pranishëm dy prokurorët e çështjes nga SPAK, ndërsa vetë Veliaj nuk u paraqit në sallën e gjyqit. Sipas gjykatës, ai ka dorëzuar një deklaratë ku shpreh se do të përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca, i cili ishte i pranishëm në seancë. Po ashtu, mungoi edhe Ajola Xoxa, e cila u përfaqësua nga mbrojtësit e saj ligjorë.
Sipas raportimeve, në seancë ishte i pranishëm vetëm një nga të pandehurit, Elman Abule. Gjatë procesit pati edhe debate mes palëve.
Avokati Sokol Hazizaj kërkoi që klienti i tij, biznesmeni Fatmir Bektashi, të gjykohet me procedurë të shkurtuar. Kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurorët e posaçëm Altin Dumani dhe Ols Dado, të cilët argumentuan se një veprim i tillë mund të ndikojë në zvarritjen e procesit gjyqësor.
Gjykata pritet të vendosë në vijim për kërkesat e paraqitura dhe për hapat e mëtejshëm të procesit.

