Nga Ermal Mulosmani
Shqipëria është e ndarë mes veti shumë fort. Jugu e ka sunduar Veriun prej vitit 44, pra 68 vjet (80 -12 vjet të Berishës).
Ata i kanë privuar, në përgjithësi, veriorët nga përfitimet pushtetare. Veriu ka qenë plotësues gjeografik i ambicieve jugore për të ushtruar pushtet. Pushteti i komunistëve nuk i ka dashur kurrë veriorët, përveç puthadorëve dhe shërbëtorëve të dhunës së tyre në Veri.
Veriorët nga ana e tyre e kanë parë veten inferiorë dhe pa zgjidhje. Janë persekutuar dhe shtypur me dhunë.

Agresiviteti dhe dhuna verbale ndaj Sali Berishës nuk ka të bëjë me Berishën sesa me Veriun. Është kënaqësia e ish-pushtetarëve komunistë, kryesisht të një zone të caktuar, për dështimin e pushtetit të veriorëve. Revanshi i sotëm është i plotë: “Veriorët janë injorantë dhe të paaftë për të qeverisur, ne jemi euroatlantikë vizionarë që po mahnisim botën.”
Dalja e Kosovës në skenën politike e zmadhoi Veriun, tashmë territori dhe popullsia e Veriut e konkuron Jugun. Por qenia e Kosovës shtet më veti është zgjidhje e mirë për Jugun. Prandaj taktikisht duhet një zbutje: “Kosova është Shqipëri”. Kjo nënkupton se është pjesë e ndikimit politik dhe kulturor të Shqipërisë, është pjesë e identitetit zyrtar shqiptar. Për rrjedhojë duhet të jetë nën paternalizmin e jugorëve. Siç ka qenë gjithmonë. Patronazhistët e unitetit (nënkupto të nënshtrimit në emër të unitetit) dalin e bërtasin në televizor. Gjejnë edhe dele idealistë të padjallëzuar që lotojnë për çështjen kombëtare. Hajde dilu përballë!
Ama unë fare nuk i kam problem.
P.S. Duhet të shtoj edhe këtë. Personalisht kam mardhënie të shkëlqyera me shumicën e jugorëve të këtij vendi me të cilët më ka rënë rasti të njihem. Madje shumë më të mira e vletësuese sesa me miqtë e mi të veriut. Ama ky shkrim bën fjalë për pushtetarët komunistë dhe trashëgimtarët e tyre jo për shumë prej njerëzve të mrekullueshëm të Jugut të Shqipërisë.