Nisma “Ballkani i Hapur” merr goditjen më të madhe që nga promovimi i saj pasi Parlamenti Evropian miratoi dje një rezolutë ku kritikohet hapur kjo iniciativë. Në rezolutën e miratuar me 502 vota, shprehen rezerva për nismën e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në rezolutë theksohet se mospërfshirja e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor cënon parimet bazë të çdo nisme bashkëpunimi rajonal. “Shprehim rezerva të forta për çdo bashkëpunim ekonomik rajonal, apo iniciativë që nuk përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk është bazuar në rregullat e BE-së, siç është nisma e “Ballkanit të Hapur.” – thuhet ndër të tjera në rezolutë.
Pjesë e kësaj rezolute ishin dhe kritikat e adresuara ndaj Serbisë, sidomos për raportet e kësaj të fundit me Rusinë dhe refuzimin e vendosjes së sanksioneve ndaj Moskës. Në rezolutë thkesohet se negociatat e anëtarësimit me Serbinë nuk duhet të përparojnë për sa kohë që ky shtet nuk distancohet qartë nga bashkëpunimi me Rusinë agresore ndaj Ukrainës.