Nga Hasan Bello

Kryengritjet që shpërthyen në Kosovë në vitet 1910-1911 krijuan një klimë të tensionuar. Xhonturqit shtypën me dhunë të gjitha lëvizjet dhe kërkesat e shqiptarëve. Kjo shkaktoi pakënaqësi e cila nga dita në ditë u përhap në të gjitha vilajetet. Ndërsa shtetet ballkanike e shfrytëzuan situatën për diversion. Për këtë arsye xhonturqit u detyruan të ndryshonin taktikë.

Vendimi për vizitën e sulltanit në Kosovë u mor nga ministri i Brendshëm, Talat Pasha në fillim të vitit 1911. Kjo ndodhi në një darkë informale të organizuar nga ai në shtëpinë e deputetit të Serezit, Mit`hat Shykri Bleda, ku kishte ftuar 31 deputetë të kombësive të ndryshme ndërmjet të cilëve edhe 9 shqiptarë, me në krye Ismail Qemalin. 

Lajmi për udhëtimin e sulltanit u përhap shpejt. Nga të gjitha anët vinin telegrame urimi plot optimizëm se kjo vizitë do ta paqësonte situatën. Më 25 prill 1911, sulltani priti në audiencë një grup deputetësh nga vilajeti i Selanikut, Manastirit dhe Kosovës, të cilët i shprehën gëzimin dhe falënderimet e popullit. 

Për të siguruar udhëtimin, drejtuesit e shtetit morën një sërë masash. Një numër i konsiderueshëm forcash u transferuan drejt Kosovës dhe stacioneve ku do të kalonte treni që do të transportonte sulltanin dhe kryeministrin osman. 

Në prapaskenë ky operacion drejtohej nga tre figura të larta të ushtrisë dhe policisë: 1-nga ministri i Luftës, Mahmud Sheqet Pasha i cili e njihte personalisht terrenin; 2-nga oficeri dhe heroi i Revolucionit xhonturk Enver Pasha, që në këtë periudhë ishte ngarkuar me detyrën e zhdukjes së çetave në Maqedoni dhe; 3-nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Galip beu. Në prill-maj 1911 këto personalitete inspektuan disa herë terrenin për të siguruar dhe evituar çdo rrezik. 

Por, a kishin ata informacion lidhur me një atentat të mundshëm kundër sulltanit?

Sipas informacioneve sekrete që vinin në kryeqytetin osman nga konsullatat dhe shërbimi i jashtëm sekret flitej për organizimin e një atentati. Të dhënat ishin kontradiktore. Kështu, nga Vjena mbërriti një telegram, sipas të cilit, katër atentatorë shqiptarë ishin nisur drejt Kosovës për ta hedhur në ajër trenin që do të sillte sulltanin me eksploziv. Ky atentat ishte organizuar në Korfuz nga pjestarët e organizatës “Shoqëria e zezë për shpëtim- liri ose vdekje”. Ndërsa një atentator tjetër, shkoi në Selanik, por u largua kur u pikas nga organet policore. Kjo tregon se për eleminimin e sulltanit ka pasur më tepër se një plan. Dyshime kishte edhe për disa boshnjakë dhe drejtuesin e tyre, i cili kishte bërë disa lëvizje të dyshimta.

Më 5 qershor 1911 i shoqëruar nga një delegacion qeveritar sëbashku me kryeministrin Haki Pasha, sulltani u nis nga Stambolli në itinerarin Selanik-Shkup-Prishtinë. Në Selanik dhe në Shkup ai u prit nga populli dhe drejtuesit lokalë. Ndërsa Serbia dhe Bullgaria dërguan delegacione të posaçme dhe nxitën komunitetet e tyre për të organizuar ceremoni festive. Për nder të sulltanit u zhvilluan disa aktivitete, ku ai shpalli amnistin duke liruar njerëz nga burgjet, shpërndau dhurata e para si bamirësi. Edhe nga ana e popullit nuk munguan “suvenire”, siç ishte ajo e një oficeri shqiptar nga Tetova me emrin Mehmed, i cili i dhuroi sulltanit djalin e tij. Por nuk ka të dhëna që sulltani ta ketë pranuar këtë dhuratë.

Më 15 qershor sulltani mbërriti në Prishtinë. Ai u vendos në konakun qeveritar dhe për nder të tij u organizuan aktivitete të shumta. Në takimin që pati me drejtuesit lokalë, deputetët dhe parinë, ai deklaroi se qëllimi i kësaj vizite ishte afrimi i shqiptarëve me regjimin. Në namazin e të premtes që u organizua në turben e sulltan Muradit (i vrarë në betejën e Kosovës në vitin 1389 nga Millosh Kopiliqi), u grumbullua një sasi e madhe shqiptarësh numri i të cilëve nga autorë të ndryshëm është kontradiktorë. Ai varion nga 30.000 deri në 200.000 shqiptarë. 

Nëse do të kishte ndodhur atentati i organizuar, Mehmedi V do të ishte sulltani i dytë osman i vrarë në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite serbët treguan një servilizëm të tepruar. Sipas udhëzimeve që mori nga Beogradi, konsulli serb në Prishtinë, Millan Rakiq, me personelin e konsullatës u angazhua që elementi serb në Kosovë së bashku me disa organizata kulturore të paraqiteshin në pritjen e organizuar papërjashtim dhe të organizonin programe solemniteti. Kjo kishte si qëllim që: e para, t`i tregonin sulltanit se elementi serb ishte lojal ndaj regjimit dhe, e dyta, diplomatëve dhe korrespondentëve të shtypit të huaj t`i bëhej e ditur se pas shqiptarëve, në Kosovë kishte edhe serbë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *