Nga Sebastian Zonja
Bosnja është në prag të një krize të fortë që nuk përjashton asnjë skenar. Madje, po të tregohemi pak konspiracionistë, Aleksandër Vuçiqi po shtyn përpara tensionin në Republikën Srpska për t’i treguar amerikanëve dhe gjermanëve se po nuk e lanë të qetë, do e hedhë gjithë Ballkanin në erë.
Çfarë ka ndodhur?

Mbrëmjen e së enjtes, Milorad Dodik ka kaluar në Kuvendin e Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë tre ligje që mund ta çojnë drejt destabilitetit vendin ballkanik.
Pas dënimit të tij me një vit burg, Dodiku mblodhi Kuvendin dhe urdhëroi deputetët që të kalojnë ligjin që nuk njeh vendimet e Sarajevës në Banja Luka. Pra, dejuro, shpall mëvetësi. Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe projektligjin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Sërpska, i cili parashikon krijimin e një organi që emëron gjyqtarë, prokurorë dhe funksionarë të tjerë gjyqësorë në këtë entitet. Shpall pavarësinë gjyqësore dhe nuk njeh vendimet e Sarajevës. Po ashtu, siç kanë kaluar më herët Gjeorgjia dhe Bjellorusia, Dodiku kaloi edhe ligjin që parashikon krijimin e një Regjistri të Veçantë të organizatave jofitimprurëse të themeluara në Republikën Srpska, të cilat marrin mbështetje financiare, ose ndihmë tjetër nga subjektet e huaja, si dhe përfshirjen e tyre në aktivitete politike, duke i klasifikuar ato si ‘agjentë të jashtëm’. E thënë më thjeshtë – do mbyllet çdo media, gazetë, portal, agjenci që flet kundër qeverisë. Për t’i vënë qershinë mbi tortë, Hungaria ka dërguar 300 forca speciale të vetat aktualisht në Banja Luka.
Përveç Vuçiqit dhe Dodikut, në foto është edhe prorusi Knjezheviq në Mal të Zi.