Nga Hasan Bello

Megjithë krizat e njëpasnjëshme që kishte kaluar shteti shqiptar në fillim të viteve 20-të dhe mungesën e institucioneve të konsoliduara brenda vendit, segmente të caktuara të administratës përpiqeshin të jepnin kontribut maksimal. Kjo vihet re në vigjilencën që ata tregonin për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë.

Në këtë periudhë prefekturat krahas rutinës së përditshme kishin si detyrë të mbikqyrnin edhe konsullatat e huaja.

Në mars të vitit 1924 agjentët e prefekturës së Shkodrës arritën që të kopjonin një dokument të rëndësishëm nga arkivi i konsullatës jugosllave. Sipas një raporti që ministri i Brendshëm Shefqet Vërlaci i dërgonte Ministrisë së Jashtme më 25 mars 1924 lidhur me përmbajtjen e këtij dokumenti, konkludohet se ato ishin disa instruksione të Drejtorisë së Zbulimit pranë MPJ për legatat dhe konsullatat jugosllave.

Sipas instruksioneve, informacionet e mbledhura duhej ti paraqiteshin çdo dy javë atasheut ushtarak. Në rastet kur ai mungonte, ato duhej ti dorëzoheshin nënpunësit me statusin më të lartë diplomatik brenda legatës ose konsullatave. Për financimin e informatorëve, në rastet kur kishte mungesë fondesh, lejohej përdorimi i të ardhurave të mbledhura nga taksat e vizave. Por këto shpenzime duhej të raportoheshin çdo muaj në Beograd.

Një pikë tjetër ishte kqyrja e të gjitha lëvizjeve dhe e numrit të forcave ushtarake, në provincat kufitare me Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene. Për këtë arsye, agjentëve që vinin nga radhët e ushtrisë dhe që punonin për interes të zbulimit jugosllav t’u jepeshin shuma më të mëdha sesa informatorëve të tjerë. Çdo lëvizje e ushtrisë duhej të raportohej në kohë reale.

Për të bërë sa më pak shpenzime nga fondi i fshehtë për të marë informacione duhej të përdoreshin edhe emigrantët. Organizat e krijuara prej tyre duhej të mbaheshin në mbikqyrje të përherëshme. Për çdo organizatë bullgare, maqedonase dhe shqiptare të përdoreshin të paktën nga dy informatorë, që do të lajmëronin lëvizjet dhe objektivat e tyre kundër shtetit jugosllav. Në këtë drejtim duhej punuar për likuidimin e tyre.

Hyrja në arkivin sekret të konsullatës jugosllave në Shkodër dhe kopjimi i këtij dokumenti nga agjentët shqiptarë ishte një mision i suksesshëm, i cili tregon se në çdo periudhë shteti shqiptar ka pasur individë të përkushtuar.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *