Nga Hasan Bello

Hasan Tahsin Pasha (1845-1918) ishte pinjoll i një familjeje të shquar me origjinë nga fshati Mesare i kazasë së Leskovikut. Në ditët e vështira të Luftrave Ballkanike, kryeministri i Perandorisë Osmane Gazi Muhtar Pasha ndonëse ai vinte nga radhët e xhandarmërisë e emëroi atë nga vali të Janinës si komandant të përgjithshëm të kufirit grek. Në kujtimet e tij, Syrja bej Vlora shkruan se, kur e kishte pyetur përse e kishte pranuar këtë barrë të rëndë, ai ishte përgjigjur se e kishte refuzuar për shumë arsye, por pasi kryeministri kishte insistuar në mënyrë të jashtëzakonshme, ishte detyruar që të pranonte.

Në Selanik situata e trupave osmane ishte krejtësisht konfuze. Komandantët ishin persona të papërgatitur. Shumica prej tyre nuk kishin komanduar në jetë jo divizione, por as edhe një ushtar. Ata nuk dinin të jepnin e të merrnin urdhëra. Zërin e topave e kishin dëgjuar vetëm në festa zyrtare. Për këtë arsye, posa filloi lufta ata e humbën toruan. Me pretekstin se do të tërhiqnin municione, ikinin dhe i linin repartet e tyre në luftë. Madje, disa prej tyre largoheshin aq shumë saqë jo vetëm gjylja nuk i arrinte, por as edhe zëri topit nuk dëgjohej. Të mbetur pa komandë ushtarët dezertonin nga fronti drejt Selanikut dhe rrethinat përreth. Kur Hasan Tahsin Pasha i dha urdhër komandantit të qendrës në Selanik, Shefki Pashës, që të zbatonte ligjet ushtarake për oficerët dhe ushtarët e padisiplinuar, ai u përgjigj: “Materialisht nuk është e mundur ti mbledhësh oficerët nga shtëpitë publike dhe pijetoret apo ushtarët nga hanet dhe xhamitë e t‘i nisësh në ballë të luftës”.

Në këtë situatë të mjerueshme, Hasan Tahsin Pasha i bëri një inspektim trupave osmane të vendosura në front të gatshëm për luftë, e pasi kthehet në zyrën e tij shkruan: “Ora erdhi, ngjarjet ushtrojnë presion. Lëvizja rrethuese po zhvillohet tashmë me shpejtësi dhe përbën kërcënimin më të madh. Trupat armike të cilat po lëvizin kanë kaluar Kisalarin dhe kanë vajtur në Pilqoriqi.
Fatalja erdhi si rrufe. Papritur, një zhurmë e tmerrshme mbuloi, për një çast edhe zhurmën e betejës. Shpërtheu si furtunë dhe mijëra rezervistë u derdhën, pa asnjë shkak serioz duke rendur si të demonizuar, ose sikur t`i kishte zënë një çmenduri kolektive. Shtynin në rrokupujë të tjerët në gjeste dhe ulërima. Çaste dëshpërimi dhe tmerri ekstrem. Të gjithë vrapuan, u zunë me njëri-tjetrin, u përgjëruan dhe në fund nxorrën revolet dhe shtinë në askund kot më kot. Të tjerët, ushtarët guximtarë e të papërkulur mundoheshin të mbyllnin rrugën që të çonte drejt Topsit. U mbërthyen me ta, u zunë me grushte, por ishte e pamundur të ndalohej përroi i rrëmbyer i njerëzve i cili merrte me vete gjithçka dhe u derdh në rrugë, e cila nxinte nga mijëra gra e fëmijë të tmerruar. Ishte një turmë e ndërkryer e cila sa vinte e shtohej dhe rendte drejt urës së Vradharit.

Ndërsa zhvilloheshin të gjitha këto skena frike, të papërshkrueshme në juglindje të Janicës, beteja vazhdonte me të njëjtin intensitet, por çdo përpjekje dhe sakrificë që bëhej ishin të kota, për shkak të kthesës së papritur dhe të befasishme që morën ngjarjet.
Çfarë rëndësie do të kishte tani me betejat e dëshpëruara? Ç`dobi do të sillte vetësakrifikimi i kaq e kaq heronjve bashkë me burrërinë e tyre?”

Përballë kësaj situate paniku kur ushtria greke qëndronte e gatshme për sulm vetëm pak kilometra larg qytetit dhe kur bullgarët po vërshonin të hynin para tyre, komandanti i ushtrisë greke, Princi Kostandin, i bëri thirrje që ai dhe ushtarët osmanë të pyesnin ndërgjegjen e tyre. Hasan Tahsin Pasha tani ishte përpara dilemës: gjakderdhje apo kompromis? Mark Mazower në librin e tij mbi Selanikun shkruan: “Më 22 tetor, Këshilli Bashkiak mbajti një mbledhje të jashtzakonshme dhe i dërgoi një rezolutë komandantit të përgjithshëm, gjeneralit Tahsin Pasha, përmes së cilës e nxiste, për të mirën e qytetit, të mos vazhdonte të bënte qëndresë. Fillimisht, ai nuk e mirëpriti këshillën, por pasi ushtria greke kaloi lumin e Vardarit, më 24 tetor u vu re se për gjendjen e krijuar nuk kishte zgjidhje. Qyteti ishte i rrethuar nga forcat kundërshtare dhe ideja për krijimin e një llogoreje të fundit të qëndresës së tyre, tashmë kishte humbur te shiu dhe balta”. Raporti i forcave sipas kujtimeve të marshallit me origjinë shqiptare Ahmet Izet Pasha (ish-kryeministër, ish-ministër i Luftës, ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe kandidat për fronin e Shqipërisë në vitet 1913-1914), ishte dispropocional. Kështu, ndërsa ushtria osmane kishte 18.000 forca dhe 72 topa, ushtria greke ishte më shumë se dyfishi i tyre, mbi 44.000 forca, 100 topa fushor dhe 48 topa malor. Pa llogaritur bullgarët që ishin duke ardhur për ta marrë qytetin përpara grekëve apo serbëve që flitej se po vinin.

Prandaj, jo më kot ai shkruan se përpara kësaj situate Hasan Tahsin Pashës si mbetej gjë tjetër veçse të tërhiqej, duke bërë një qëndresë simbolike aty këtu, të cilat edhe këto pësuan humbje. Me bindjen se vazhdimi i qëndresës do ta kthente qytetin e bukur të Selanikut në gërmallë të mbushur me lumej gjaku, Hasan Tahsin Pasha vendosi “Këtë vend e morëm nga grekët dhe vetëm te grekët kam për ta dorëzuar”.

Më 26 tetor 1912 u nënshkrua akti i dorëzimit të qytetit me 16 pika. Ai është i ngjashëm me atë që nënshkroi Esat Pashë Toptani kur dorëzoi Shkodrën. Një akt dinjitoz, sipas të cilit, ushtrisë greke i ndalohej ti prekte ushtarët osmanë apo ti quante ata robër lufte; derisa të nënshkruhej marrëveshja e paqes me ushtrinë osmane ata do të qëndronin në një zonë të caktuar, ku në pritje për tu rikthyer në atdheun e tyre, qeveria greke ishte e detyruar që ti siguronte ushqim, veshmbathje etj. Askush nga banorët e qytetit, myslimanët, të krishterët e sidomos hebrenjtë që përbënin shumicën, nuk do të prekej në nderin dhe besimin e tij fetar. Administrata gjithashtu duhej të vazhdonte punën e saj rregullisht.

Vite më vonë Hasan Tahsin Pasha do të shkruajë në kujtimet e tij se: “Lufta përfundoi pa lavdi për ne dhe me triumf për kundërshtarin. Selaniku u humb, por nga ana tjetër shpëtoi. E kam ndërgjegjen time të qetë, sepse kreva me përpikmëri detyrën time. Për këtë le të më gjykojë historia”. Por fatkeqësisht ende sot e kësaj dite historia e dorëzimit të Selanikut në memorialistikën dhe literaturën turke konsiderohet si tradhëtia e një “pashai shqiptar”. Kjo për dy arsye, e para, se kur një gazetar e pyeti ato ditë Hasan Tahsin Pashën në formë provokimi se çfarë ishte shqiptar apo osman?, ai, iu përgjigj “sigurisht që jam shqiptar, greqishten e mësova në qytetin tim të lindjes, në Janinë”; dhe arsyeja e dytë, është se oficerët xhonturq në shtabin drejtues dhe në Selanik, të cilët ishin përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhej ushtria osmane në prag të Luftërave Ballkanike, për të shfajësuar veten, të gjithë përgjegjësinë ia lanë Hasan Tahsin Pashës që s`kishte vetëm se pak ditë që i ishte ngarkuar kjo detyrë.

Megjithatë, historiografia dhe studiuesit e specializuar të kësaj periudhe, lidhur me Hasan Tahsin Pashën dhe dorëzimin e Selanikut tregohen më gjakftohtë. Ndërsa historianët e artit ushtarak këtë e quajnë akt normal të imponuar nga rrethanat.

Hasan Tahsin Pasha vdiq në Lozanë në moshën 73 vjeçare, i vetmuar dhe i përbuzur padrejtësisht nga të gjithë ish-eprorët xhonturq. Në vitin 1937 eshtrat e tij u sollën në një varrezë shqiptare në periferi të Selanikut, në Trinadia. Ndërsa më 1983, për shkak se trualli i kësaj varreze u shtetëzua, eshtrat e tij u nxorrën dhe u vendosën në një kuti për 23 vjet me radhë deri në 2006, kur u varrosën pranë të birit, piktorit dhe diplomatit të njohur Qenan Mesareja.

(Tabloja e mëposhtme është pikturuar nga Qenan Mesareja, i cili ishte i pranishëm në aktin e dorëzimit të Selanikut te grekët, prandaj në pikturë ai ka vendosur edhe veten e tij.)

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *