Nga Hasan Bello
Një nga zonat më problematike për autoritetet osmane, në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, ishte rruga që kalonte nga Fushë-Kruja, Nikla dhe Mamurrasi. Kjo, për shkak se në këtë segment, i cili ishte pjesërisht i pyllëzuar, vepronin disa banda grabitësish.
Një nga ngjarjet më të rënda ndodhi më 26 mars 1912, kur në Nikël u sulmua posta osmane që ishte nisur nga Tirana në drejtim të Shkodrës. Ajo po transportonte 900 lira turke dhe shoqërohej nga nëntë kalorës dhe katër xhandarë. Gjatë përplasjes me grabitësit, të cilët, sipas autoriteteve, numëronin afërsisht pesëdhjetë veta, u vranë katër xhandarë dhe u plagos një kalorës. Posta nuk arriti të grabitej. Megjithatë, kjo ngjarje shkaktoi një shqetësim të madh te autoritetet e kohës.
Për këtë arsye, nënprefekti i Durrësit, së bashku me komisarin e policisë dhe sekretarin e tij, u nisën drejt Tiranës. Kryetari i kësaj bande ishte identifikuar si një banor i zonës, një hajdut i cili sapo ishte liruar nga burgu për shkak të një amnistie. (Identitetin e tij nuk po e tregojmë për arsye etike.)