Nga Sebastian Zonja
Kur ndodhën tërmetet tragjike në Turqi dhe Siri pati jehonë nëpër shumë portale se mbrapa kësaj katastrofe ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës me programin HAARP. Medie të rëndësishme në Serbi e shpërndanë këtë lajm: televizioni “Prva” dhe “B92-shi” apo gazetat “Informer” dhe “Vecernje Novosti”. Sipas shumë ekspertëve të komunikimit publik, ky lajm u prodhua në kuzhinën ruse dhe u servir në Ballkan nga mediet serbe.
Një lajm tjetër që e marrim shpesh nga mediet serbe është se “zëri i arsyes” në Bashkimin Evropian është ai i kryeministrit hungarez Viktor Orban. Analiza të ndryshme shfaqen përditë se si Orban po mban qëndrimin e duhur përball amerikanëve dhe evropianëve, elitave të degjeneruara dhe se si ato elita duan të rrënojnë kombin hungarez dhe serb.
Vëmendje qëndrore ka gjithashtu edhe analiza se fajin për luftën në Ukrainë e ka Amerika, sepse rusët po luftojnë kundër nazistëve në vendin fqinj. “Denazifikimi” pranohet gjerësisht në Serbi, ndërsa në Shqipëri ka ardhur në këtë mënyrë: nuk ka masakra në Ukrainë, sepse janë amerikanët që i kanë stisur. A nuk thanë serbët të njëjtën gjë për Reçakun dhe masakra të tjera në Kosovë?
Gjithashtu, duke qenë se përputhet narrativa, serbët fajësojnë NATO-n për luftën, dhe në Shqipëri kjo përkthehet se amerikanët janë shkaktarë.
Në Serbi, televizioni “Pink” së bashku me televizionin “Happy”, konsiderohen si mediet më ekstreme në vend dhe që përhapin teori që nga shtrigat dhe shtriganët deri te përpunimet më të mprehta të KGB-së për pandeminë dhe situatën ndërkombëtare.
Por pyetja është si mbërrijnë këto lajme kaq thjeshtë ndër shqiptarë?
Gjithnjë më ka ardhur habi se si shumë medie dhe portale shqiptare kanë emra binjak me ata serb!!! Mjaft të bësh një kërkim të thjeshtë në internet dhe e gjen. Koinçidencë shumë e çuditshme.
Ndërkohë, burimi qëndror i dezinformimit në shqip, duket se vjen nga Kosova. Ka shumë portale që ngjajnë se janë duke shkruar lajme për çështje të rëndësishme historike apo dialogun Prishtinë – Beograd, dhe në sfond gjithnjë gjen nga një lajm të rremë. Për shembull, portale me tituj bombastikë si “Kombi”, “Bashkimi Kombëtar”, “Shqipëria Etnike” e të tjerë, janë burimi kryesor në Facebook për të përhapur narrativën shoviniste serbe edhe ndër shqiptarë.
Si të ruhesh prej tyre? Mundohu të lexosh artikuj seriozë dhe të kopsitur. Artikuj të tillë janë, në shumicën e rasteve, autorialë. Mediet e rëndësishme ruhen prej padive, ndaj edhe duhet t’i kenë sa më të qarta dhe të kuptueshme lajmet.