Nga Arbër Zaimi
Ç’prej kohësh Franca legjendare çdo pesë vite fiton, rregullisht, kundër fashizmit. Së fundmi ka filluar të fitojë çdo dy-tre vite.
Si ndodhi kjo?
Në një këndvështrim, shkatërrimi i demosit prej programit neoliberal, që u përqafua nga të gjitha partitë centriste pas Mitterandit. Si mund të ketë demokraci pa demos?
Komuniteti është një lloj strehe, e individualizmi moskokëçarës i propaganduar prej neoliberalëve synoi të shkatërrojë çdo lloj solidariteti të ngjashëm. Me zhdukjen e strehave komunitare, me nxitjen e mobilitetit gjeografik si zëvendësim për mobilitetin social, pra me krijimin e lagjeve ku askush s’e njeh më askënd e të gjithë janë të huaj për njëri-tjetrin, s’është habi që ringjallen fantazmat e strehave të varrosura qyshmoti.
Efekt strukturor i programit neoliberal ka qenë edhe dobësimi apo shkatërrimi i partive si forma organizimi me traditë shumëvjeçare. Këto u zëvendësuan nga forma fluide, lëvizëse, pa identitet e pa pozicion, të varura nga pazari e nga media, të lidhura pas fatit të një lideri showman, sipas modelit që shpiku Berlusconi në Itali para 30 vitesh e që perfeksionoi Macroni në Francë para 10 vitesh. Në mungesë të partive me identitet e pozita, elektorati shpesh u bë hezitues dhe mospjesëmarrës.
Në këtë lëmsh pa adresa, strategjia e të djathtës ekstreme është ofrimi i një adrese të patundur, por me fasadë të rinovuar e me ngjyra më të pranueshme. Balli Kombëtar i dikurshëm tash paketohet si Grumbullimi Kombëtar, dhe anëtarë me pozita të larta ka tek-tuk edhe gra, pasardhës emigrantësh, homoseksualë…
Fronti i Ri Popullor, aleanca e majtë që duket se ka dalë në vend të parë, nuk do të ishte bashkuar kurrë po të mos kishte rezultat aq të madh e djathta ekstreme. Ky front përmban brenda parti të spektrit të gjerë, prej të majtës liberalocentriste dhe atlanticiste, deri te komunistët e majtë antiatlanticistë.
Marxi thoshte se subjekti krijohet në fabrikë, atje ku shtrydhet për interes të tjetërkujt. Foucaulti thoshte se subjekti krijohet në burgje, spitale e shkolla, ku disiplinohet për interes të tjetërkujt. Në gjeopolitikë e në politikë jo rrallë shohim se subjekti krijohet edhe përballë armikut të përbashkët, ku i vendos interesi i …kujt?
Duhet me pasë armik – shkruante Umberto Eco te “Varrezat e Pragës”, ndoshta me nënshtrat ironik – dhe urrejtja duhet kultivuar si pasion civik.
A do të mjaftojë armiku i përbashkët t’u japë identitet majtistëve francezë? Pa rikrijuar formën e qëndrueshme organizative dhe programore, pra pa parti të mirëfillta e të qëndrueshme e të ndryshme nga njëra-tjetra, duket vështirë të ruhet pluralizmi. Të shohim.