Nga Hasan Bello

Për myslimanët, muaji i Ramazanit konsiderohej si “sulltani” i dymbëdhjetë muajve. Ardhja e tij mezi pritej nga të gjithë besimtarët. Një pjesë e tyre i fillonte përgatitjet disa muaj më parë, pasi menuja e Ramazanit kishte specifikat e saj.

Në vitet ’30, fillimi i Ramazanit përcaktohej me metodën klasike, përmes shikimit të hënës. Kryetari i Komunitetit Mysliman informonte zyrtarisht Ministrinë e Drejtësisë, e cila merrte masa për të respektuar protokollin (vizitat, kujdesin ndaj besimtarëve dhe objekteve të kultit, shkurtimin e orarit zyrtar për myslimanët që punonin në administratë, etj.). Pjesë e kësaj ishte edhe hedhja e fishekzjarreve, të cilët lajmëronin hapjen e iftarit në qytetet kryesore të Shqipërisë.

Në çdo xhami këndohej mukabele (leximi i Kuranit me zë të lartë nga një person i caktuar, ndërsa të tjerët e ndiqnin me zë të ulët).

Në xhaminë e Medresesë dhe në ato më kryesoret mbaheshin ligjërata të posaçme për komentimin e Kuranit. Në këto aktivitete, përveç hoxhallarëve të njohur, angazhoheshin edhe nxënësit e vitit të fundit të Medresesë.

Në xhami këndoheshin hatme për personalitete të njohur publikë (siç ishte ajo për babain e mbretit) dhe për njerëz të thjeshtë.

Ndërsa për nxënësit e Medresesë së Përgjithshme në Tiranë përgatitej ushqim i veçantë, sipas një liste që miratohej paraprakisht nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me propozim të drejtorit të saj.

Për fëmijët jetimë dhe për të varfrit organizoheshin iftare dhe syfyre, jo vetëm nga institucionet, por edhe nga besimtarët me gjendje të mirë ekonomike.

Në përfundim të Ramazanit njoftohej për Natën e Kadrit, e cila për institucionet e shtetit ishte pushim zyrtar.

Në fund vinte festa e Bajramit, kur rrugët e kryeqytetit dhe të qyteteve shqiptare mbusheshin me besimtarë që vizitonin njëri-tjetrin dhe fëmijë plot hare.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *