Një hulumtim gazetaresk i realizuar nga revista gjermane Stern ka zbuluar mënyrën se si lëvizjet ekstremiste të djathta po përpiqen të tërheqin të rinjtë në Gjermani, duke përdorur rrjetet sociale dhe propagandë të kamufluar si mesazhe nacionaliste.

Gazetarët e Stern-it, pas muajsh të tërë kërkimesh, kanë mundur të depërtojnë në rrjete të mbyllura komunikimi mes anëtarëve të ekstremit të djathtë dhe kanë futur një reportere në rolin e të infiltruarës brenda “Të Rinjve Nacionalistë” (JN) – krahu i të rinjve të partisë radikale të djathtë “Atdheu” (dikur e njohur si NPD), e cila prej kohësh është nën vëzhgimin e Shërbimit Gjerman të Mbrojtjes Kushtetuese.

Ky grup, ndonëse me një profil të ulët publikisht, është tejet aktiv në platforma si TikTok dhe Instagram, ku shpërndan materiale me përmbajtje propagandistike dhe përpiqet të nxisë një frymë nacionaliste, shpesh të maskuar si “krenari kombëtare”. Mesazhet janë të qarta, por të ambalazhuara në mënyrë të tillë që të mos duken të rrezikshme në shikim të parë – duke i bërë të rinjtë më të prekshëm ndaj ndikimit të tyre.

Gjatë infiltrimit, gazetarja ka dokumentuar takime të fshehta, trajnime ideologjike dhe aktivitete me karakter paramilitar. Anëtarët e organizatës shfaqin qëndrime të hapura raciste, kundër të huajve, hebrenjve dhe institucioneve demokratike.

Hetimi vjen në një moment kur Gjermania po përballet me një rritje të ndjeshme të rasteve të ekstremizmit të djathtë. Vetëm gjatë vitit të kaluar, autoritetet kanë evidentuar një rritje të dukshme të veprimtarive të dhunshme të lidhura me këto grupe.

Ekspertët paralajmërojnë se përballja me këtë ideologji nuk zhvillohet më vetëm në rrugë apo në tubime publike, por sidomos në hapësirat virtuale ku të rinjtë kalojnë pjesën më të madhe të kohës. Rrjetet sociale po kthehen në terrenin kryesor ku ekstremizmi kërkon të mbjellë rrënjë.

By Editor