Nga Hasan Bello
Interesat shqiptaro-sllave historikisht kanë qenë kontradiktore. Këtu bëjnë përjashtim dy-tre raste. Njëri prej tyre i përket viteve 1919-1920, kur delegacioni jugosllav i kryesuar nga kryeministri Nikolla Pashiq shkoi në Konferencën e Paqes në Paris. Në fillim, ai, i paraqiti Konferencës kërkesën për të marrë “pjesën që i takonte”, në qoftëse Greqia dhe Italia do të përfitonin nga copëtimi i Shqipërisë.
Në këtë periudhë marrëdhëniet e Jugosllavisë me shtatë shtetet kufitare, për shkak të pretendimeve territoriale, ishin të tensionuara. Kontradiktat më të mëdha Jugosllavia i kishte me Italinë. Kjo e fundit ishte deklaruar kundër vendimit të Francës dhe Britanisë për bashkimin e popujve jugosllavë në një shtet të vetëm. Sipas diplomacisë italiane, ky shtet, i cili u krijua në vitin 1918 mund të vinte në pikëpyetje interesat dhe kontrollin e saj mbi detit Adriatik.
Kontradiktat lidheshin edhe me planet e Italisë për të aneksuar territoret jugosllave, që dikur kishin qenë pjesë e Austro-Hungarisë në Dalmaci dhe Istria.
Nga këndvështrimi i interesave jugosllave Italia nuk duhej ta kthente Shqipërinë në një pikëmbështetje për planet e saj kundër Jugosllavisë. Ky qëndrim bëri që ajo të dilte kundër Traktatit të Fshehtë Londrës të 26 prillit 1915 dhe kërkesave italo-greke në Konferencën e Paqes, për copëtimin e Shqipërisë.
Qeverisë jugosllave i interesonte ekzistenca e Shqipërisë së vitit 1913. Në këtë periudhë, teza e Pashiqit ishte krijimi i një shtetit shqiptar “anemik”, i cili do të luante rolin e një amortizatori mes Jugosllavisë dhe Italisë.
Në njërin nga memorandumet që delegacioni jugosllav i dorëzoi Konferencës së Paqes më 24 shkurt 1919 thuhet: “interesi i përgjithshëm, paqja e qetësia në Gadishullin Ballkanik kërkojnë që territori shqiptar me kufinjtë që i caktoi Konferenca e Londrës, të formojë një shtet të pavarur në përputhje me frymën e vendimeve të kësaj Konference. Rinjohja e pavarësisë, do t`i vinte fiset shqiptare në një gjendje që të punonin vetë për formimin e shtetit të tyre, çka do të ishte një pajtim me parimin “Ballkani i popujve ballkanikë”.
Megjith kërkesën për rektifikimin e kufirit shqiptaro-jugosllav, ky qëndrim vihet re edhe në notën që delegacioni jugosllav i dorëzoi Konferencës së Paqes më 8 janar 1920 mbi “çështjen e Adriatikut”.
Tërheqja e delegacionit jugosllav nga pretendimet territoriale i shtyu Fuqitë e Mëdha e sidomos Britaninë, që të vendoste anulimin e Traktatit të Fshehtë Londrës. Gjithashtu, ajo refuzoi pretendimet italo-greke në Paris dhe dërgoi në Shqipëri njerëzit e saj, për t`i nxitur shqiptarët që të organizonin Kongresin e Lushnjes.
Kjo është arsyeja përse Esat Pashë Toptani në telegramet që i dërgonte njerëzve të tij në Shqipëri, i udhëzonte të bashkëpunonin e normalizonin raportet me Jugosllavinë, sepse në Konferencën e Paqes, [për interesat e veta] ajo po mbështeste krijimin e shtetit shqiptar.
Qëndrim të ngjashëm me Esatin duke bashkëpunuar me jugosllavët kundër italianëve ndiqte edhe qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes. Në një letër që Hoxhë Kadri Prishtina i dërgoi në emër të qeverisë shqiptare në fillim të marsit 1920, konsullit jugosllav në Shkodër, shkruante se: “qeveria shqiptare është gati me hy në bisedime të mshefta me qeverinë serbo-kroato-sllovene në Beligrad…për të nxjerrë italianët jasht Ballkanit dhe sidomos jasht Vlorës.” Në muajin prill qeveria shqiptare dërgoi me mision të fshehtë në Beograd Sejfi Vllamasin, i cili, nuk siguroi më tepër se një premtim të vakët për prapavijë të qetë në kufijtë shqiptarë, në kohën e zhvillimit të Luftës së Vlorës.
Një udhëzim të ngjashëm me Esatin jepte edhe kryeministri Sulejman Delvina. Më 20 gusht 1920, ai kërkoi nga instancat shtetërore që “Si të zihen kufit prej fuqiës Kombëtare duhet të përkujdesohemi sa më shpejt qi mos të kalojm ma tej e të fillohen marrëveshjet me qeverinë jugosllave tuj i dhanë funt armiqësisë”.
Nëse Esati bashkëpunonte hapur, qeveria shqiptare, bashkëpunonte në prapaskenë me jugosllavët. Të dyja palët bënin real-politikë në interes të kombit. Por, vetëm Esati konsiderohet tradhëtar…