Nga Hasan Bello

Terenc Toçi (1880-1945) ka qenë propagandist dhe agjitues i çështjes shqiptare, një nga arbëreshët më aktiv në fillim të shek.XX. Me profesion jurist, Toçi dha një kontribut të rëndësishëm për ngritjen e institucioneve të shtetit shqiptar. Ai ka mbajtur detyra të larta si prefekt, deputet, kryetar gjykate, ministër dhe në vitet e pushtimit italian edhe si kryetar i Këshillit të Epërm Fashist Korporativ, i cili kishte funksione legjislative. Por T.Toçi njihet edhe si avokat, publicist, si krijues i të parës lozhë masone në Shqipëri gjatë LDB apo si përfaqësues i kompanisë amerikane të Coca Colës.

Një kontribut të rëndësishëm ai ka dhënë për hartimin e legjislacionit të shtetit shqiptar. Toçi mban autorësinë e një sërë kodesh, ligjesh dhe rregulloresh, të cilat hodhën bazat për modernizimin e institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.

Pas 1944 ai arrestohet si kolaboracionist dhe nxirret përpara gjyqit special, i cili e dënon me vdekje. Nuk duam të merremi me dispropocionin që kishte ky dënim në raport me kontributin e T.Toçit për kombin shqiptar, por mënyrën sesi u grabit dhe shkatërrua biblioteka e tij, e cila konsiderohej si një nga më të pasurat në Shqipëri.

Në kushtet ekstreme të burgut, diku nga fillimi i 1945 kur priste të merrte dënimin kapital, T.Toçin e viziton bashkëshortja e cila i tha se një grup partizanësh i kishin mësyer shtëpinë dhe kishin grabitur bibliotekën e tij të famshme. Çka nuk e kishin marrë dot e kishin shqyer, duke pretenduar se po i bënin luftë fashizmit. Ky lajm e tronditi aq shumë T. Toçin sikur t’i kishin thënë se i kishin vdekur fëmijët.

Grabitja dhe shkatërrimi i bibliotekave private të atyre që arrestoheshin dhe ekzekutoheshin, ishte një nga krimet më të mëdha dhe më të padokunentuara të regjimit komunist në fushën e kulturës. Kjo ka ndikuar edhe në memorien kolektive, pafolur për dhimbjen që ndjenë ai që e di mirë se sa sakrifica kërkon krijimi i një biblioteke të pasur personale.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *