Nga Hasan Bello
Bib Dodë Pasha (1820-1868) ishte një ndër pinjollët më në zë të familjes së Kapedanëve në Mirditë. Ai ishte i biri i Preng Lleshit i cili e la të vogël, pasi vdes në Dubrovnik, si pasojë e një helmimi që kishte marrë që në Shkodër. Për meritat e tij, në vitin 1849 Bib Dodës iu dha titulli “Pasha” dhe iu njoh e drejta të komandonte një ushtri prej 10 mijë ushtarësh. Ai njihet si i pari pasha i krishterë. Në vitin 1852, në përkrahje të forcave osmane të Omer Pashës, ai bllokoi ushtritë malazeze. Ndërsa në vitin 1854, Doda merr pjesë në luftën ruso-turke, ku tregoi trimëri e aftësi të rralla.
Për këto arsye, sulltan Abdylmexhiti e gradoi Bib Dodën “gjeneral brigade”. Ndërsa Napoleoni III që luftonte krah osmanëve i dhuroi “Shpatën e Argjentë”, në shenjë miqësie. Kjo shpatë në vitin 1959 iu dhurua Hrushovit gjatë vizitës që ai bëri në Shqipëri. Përveç administratës osmane Bib Doda u vlerësua nga Papa me “Urdhërin e Shën Gregorit” dhe shtete të tjera të kohës.
Më 18 korrik 1868, kreu i Mirditës, vdiq në Shkodër ku kishte ardhur për t`u kuruar nga një sëmundje kronike e mëlçisë. Varrimi u bë më datë 19 me një ceromoni madhështore. Me bandën ushtarake në krye, kortezhi përbëhej nga një gjeneral, trupi konsullor, gjithë kleri dhe parësia e vendit. Këto nderime që iu bënë një kreu të krishterë, shtetas osman, shkaktuan përshtypjen më të mirë. Bib Doda kishte fituar emër ushtarak gjatë luftës së Krimesë në vitin 1854, ku ai u dërgua në krye të 3000 mirditasve. Për këtë ai mori gradën e gjeneralit të brigades me një pagë mujore prej 7000 piastrash. Ai la një vajzë 15-vjeçare dhe një djalë 10 vjeçar (Preng Bib Dodën).
Ajo që i bëri përshtypje diplomatëve të huaj dhe të pranishmëve që morën pjesë në ceremoninë mortore ishte se mbi arkivolin e Bib Dodës u vu re flamuri francez. Ndërsa qeveria franceze urdhëroi konsujt e saj që të mos lejonin që privilegjet e mirditasve të prekeshin sado pak nga qeveria osmane.