Nga Gani Ratkoceri
Diktatori Enver Hoxha, mbas mbarimit të luftës nuk u mjaftua me qindra intelektualë patriotë të cilët i pushkatoi me gjyqe e pa gjyq, por i shpalli tradhtarë shumë patriotë që kishin luftuar për çështjen shqiptare si : Hasan Prishtina, Gjergj Fishta, Dervish Hima, Faik Konica, Haqif Pashë Elbasani, Asdreni e shumë të tjerë. Udhëheqësit e Lidhjes shqiptare të Prizrenit i quajti individë me ide të kufizuara e me tendenca shoviniste, pse kishin punuar e luftuar për Shqipërinë etnike me të katër vilajetet:
Në vitin 1953 isha student në Institutin e Lartë Pedagogjik katërvjeçar Elbasan. Profesor të Historisë së Shqipërisë, kisha Z. A.B. Ky profesor na shpjegonte me shumë pasion historinë. Po me atë pasion na shpjegoi një ditë edhe kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912. Më kujtohet, se e mbylli leksionin kështu: “Kryengritja,… dështoi, pasi tradhëtoi Hasan Prishtina”.
Mua më ngriu stilografi në dorë. Mbeta i hutuar. Profesori e futi leksionin në çantë dhe ngadalë siç e kishte zakon duke qeshur doli nga auditori. Pasi e mblodha veten dola me të shpejtë pas tij. E ndalova dhe i thashë: “Profesor! Ju e mbyllët leksionin…”Kryengritja dështoi sepse tradhëtoi Hasan Prishtina, “Unë tash për tash nuk jam në gjendje t’ju flas me dokumenta. Ndofta do të vijë koha të flasim. Tani mund t’ju them vetëm këtë: Në Kosovë, pleqtë nëpër oda, kur e përmendin emrin e Hasan Prishtinës luajnë nga vendi si të përmendin emrin e Perëndisë”. Nuk më dha asnjë përgjigje.
Ashtu i mërzitur shkova tek prof. Ahmet Gashi dhe ia tregova ngjarjen me profesorin e historisë. Ai më tha siç e kishte zakon me një zë të qetë e miklues: “Mos u mërzit biro! Do të vijë koha që Hasan Prishtina do të vlerësohet, ndoshta jo aq sa e meriton, por nuk do të quhet tradhtar si tani që në të gjitha tekstet shkollore e historinë e sotme shkruhet ashtu”.
Prof. M.Gashi ka qenë drejtor i gjimnazit të Prishtinës nga viti 1942- 44. Nga ai kisha dëgjuar për veprimtarinë patriotike të Hasan Prishtinës. Unë nuk guxoja ta zija në gojë. Ai trajtohej shumë keq nga regjimi, për arsye se kishte bërë hartën etnike të Shqipërisë me të katër vilajetet. Ndaj e quanin shovinist.

Në vitin 1959 Xhemal Broja shkroi një dramë për Bajram Currin “Dragoi i Dragobisë” në të cilën Hasan Prishtinën e paraqiste spiun të Turqëve të rinj. Kjo dramë u vu në skenë në Teatrin Popullor këtu në Tiranë. Publiku duke mos pasë idenë se kush ishte Hasani e mirëpriti shfaqjen, me përjashtim të disa intelektualëve kosovarë dhe tropojanë të cilët u indinjuan shumë. Në mes tyre isha dhe unë.
Të nesërmen shkova tek profesor Gashi dhe ia tregova përmbajtjen e dramës. U prek shumë. Ra në mendime. Çfarë do të bëjmë profesor? – e pyeta.
– Të presim edhe pak. Le të shohim si do të reagojnë të tjerët sepse ne jemi të pafuqishëm. Me siguri do të reagojë ndonjë njeri që është në pozitë më të mirë se ne. Na, jo se nuk kemi argumente bindëse, por…
Nuk vonoi shumë. Një grup intelektualësh tropojanë me banim në Tiranë, shumica e të cilëve ishin anëtarë partie dhe patriotë të vërtetë si Idriz Mulosmani, Dervish Gjongecaj, Myftar Memia, Mehmet Mulosmani, Tahir Mola e të tjerë i dërguan një promemorie Komitetit Qendror, në të cilin argumentuan se Hasan Prishtina nuk ka qenë agjent i Xhon turqve, por një patriot i madh.
Një grup tjetër teatral diletantësh i kombinatit të tekstileve në Tiranë e shfaqi dramën “Dragoi i Dragobisë” në Tropojë. Meqë drama i kushtohej Bajram Currit vërshuan malësorët nga të gjitha anët për ta parë. Në fund të shfaqjes këta malësorë jo vetëm që u zhgënjyen. Ata u zemëruan pa masë, kur në një pjesë të dramës, Hasani paraqitej spiun…Të nesërmen herët në mëngjes i përzunë aktorët.
Kjo ngjarje atëhere bëri bujë të madhe. Unë informova profesorin dhe e pyeta se si do të bënim na?…
– Po sikur profesor, të mbledhim në shtëpinë time disa nga intelektualët kosovarë dhe të bisedojmë, si të veprojmë !
– Po, ke të drejtë, tha profesor Gashi. Tani është koha. Dhe ashtu vepruam.
Në shtëpinë time erdhën : Prof. M.Gashi, Prof. Zekirja Rexha, Prof. Avni Zajmi, mësuesi Rifat Spahia dhe Rexhep Shpendi. Prof. Gashi na pruri të gjithëve nga një kopje të veprës së Hasan Prishtinës “Një shkurtim kujtimesh”. Të gjithë këta patriotë e njihnin veprimtarinë kombëtare të Hasan Prishtinës.
Si fillim vendosëm t’i bëjmë një kërkesë me shkrim Institutit të Gjuhës dhe historisë (në atë kohë ishin bashkë) që të hapej një diskutim për veprimtarinë kombëtare të Hasan Prishtinës. I ndamë edhe periudhat e veprimtarisë së Hasanit. Mua më caktuan Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 në bazë të veprës “Një shkurtim kujtimesh”, meqë në atë vepër gjithçka ishte e dokumentuar.
Kërkesën me shkrim unë ia dhashë drejtorit të institutit…Pasi e lexoi me vëmëndje, ai ra në mendime. Unë po e vështroja me kujdes dhe krijova përshtypjen, se diçka e mundonte. Pasi mendoi bukur shumë, më në fund më tha: “Unë nuk mund t’ju jap përgjigje! Do të pyes në KQ dhe do t’u jap përgjigje me shkrim”. Nuk vonoi dhe ne morëm përgjigje pozitive.
E ftova si dëgjues edhe Ajet Haxhinë. Kur ia shpjegova arsyen e atij diskutimi, ai më tha : «Gani, unë kam mbledhur në vitin 1950 disa këngë kosovare për Bajram Currin dhe kudo më del Hasan Prishtina ». « Atëhere hajde dëgjoje se kush ka qenë Ai ». Mbledhjen e drejtonte prof. Aleks Buda dhe Stefanaq Pollo. Diskutimet vazhduan dy mbasdite nga 5 orë. Në fund të mbasdites së parë u bëra një pyetje drejtuesve të mbledhjes: “Ku jeni bazuar ju deri tash që Hasan Prishtinën e keni quajtur tradhtar?!”
Unë kisha biseduar me disa bashkëpuntorë të Institutit lidhur me diskutimin në fjalë. Ata më siguruan, se jo vetëm do të na përkrahnin por do të na ndihmonin edhe me dokumentat përkatëse. Këta ishin : Zija Shkodra, Ligor Mile, Mentor Belegu, Njac Zamputi, Selim Shpuza dhe Hysni Myzyri. U vendos që diskutimi do të fillonte pas dite.

Përgjigjen e mora të nesërmen nga Prof. Stefanaq Pollo. “Një gazetar i huaj bashkëkohor kishte shkruar një artikull për kryengritjen e përgjithshme shqiptare të viti 1912, ku në mes tjerash thotë se kryengritja dështoi, pasi tradhëtoi Hasan Prishtina.”
Pas shumë diskutimesh të argumentuara nga ne dhe nga bashkëpuntorët e Institutit u vendos unanimisht që Hasan Prishtina të hyjë në historinë kombëtare, si një nga figurat kryesore që ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare.
Kur po ktheheshim në shtëpi, Ajeti më tha: “Gani, unë do të shkruaj një monografi për Hasan Prishtinën”, dhe ashtu bëri. Ndoshta mund të pyesë dikush : Si ishte e mundur në atë kohë të rehabilitohej Hasan Prishtina nga tradhtar në patriot dhe me rastin e 50 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë të dekorohet për veprimtari patriotike me “Urdhërin e Klasit të parë”.
Për mendimin tim, veç dy arsyet që thamë më lart, arsyeja kryesore ka qenë se PPSH ishte në prag të prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera socialiste. Në këtë kohë ishte ulur pak lufta e klasave e sidomos pas vitit 1960. Prishjen me Bashkimin Sovjetik populli e priti shumë mirë. Të gjithë mendonin se do të shkëputeshin njëherë e mirë nga lindja, e cila i kishte sjellë aq të këqija popullit tonë e do të lidheshin me perëndimin. Ai gëzim qe shumë i shkurtër. PPSH u lidh me PK Kineze.
Grupi nismëtar për rehabilitimin e Hasan Prishtinës në prag të 50 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, kërkoi nga drejtuesit e Institutit të Gjuhës e Historisë që ta propozonin Hasan Prishtinën për ta dekoruar “Hero i Popullit”. Kjo decorate e lartë nuk iu dha kurrë.
Me 17 Nëntor 1962 unë botova një artikull të gjatë për veprimtarinë e gjërë kombëtare të gjithanshme të Hasan Prishtinës në gazetën “ Zëri i Rinisë”.
Me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me nismën e Ajet Haxhisë u sollën në shtetin amë eshtrat e atdhetarit të shquar Hasan Prishtina. Sot ato prehen në qytetin e Kukësit dhe qytetarët në kujtim të tij e emëruan Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina”.
Vetëm në kohën e demokracisë janë krijuar kushtet për t’u vlerësuar të gjitha figurat e shquara kombëtare që diktatura i la në harresë apo i denigroi për 45-vjet. Pikërisht në këto kushte të favorshme u krijua nga një grup intelektualësh fondi “ Hasan Prishtina” i cili ka marrë përsipër si fillim ngritjen e përmendores në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit, të hulumtojë dokumente brenda dhe jashtë shtetit që pasqyrojnë veprimtarinë e Hasan Prishtinës dhe një simpozium shkencor.
25 MAJ 1996, Gazeta “RILINDJA’’