Nga Hasan Bello
Në vitin 1974, me rastin e 50-vjetorit të vrasjes së Avni Rustemit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave botoi një përmbledhje me dokumente dhe materiale. Para disa vitesh, kurioziteti më shtyu të bëja një ballafaqim mes procesit të tij gjyqësor, që ishte botuar pjesërisht në këtë libër për vrasjen e Esat Toptanit, dhe dokumenteve që gjendeshin në arkiv. Nga hulumtimi konstatova se ky botim kishte shumë retushime për figurën e Avni Rustemit. Por, për momentin, po përmend vetëm tre:
1. Në hyrje të këtij botimi, kur flitet për shkollimin e Avni Rustemit, nuk përmendet se ai kishte studiuar në shkollën e Aleancës Izraelite (Alliance Israélite Universelle) në Janinë.
Kjo ishte një nga shkollat e rrjetit frankofon hebraik që funksiononin në Perandorinë Osmane, ku mësimi zhvillohej kryesisht në frëngjisht. Studimet e tij aty shpjegojnë edhe njohjen e mirë të gjuhës frënge që Rustemi kishte më vonë.
2. Pjesët e procesit hetimor-gjyqësor ishin retushuar për të sjellë në mënyrë të njëanshme deklaratat e dëshmitarëve për Avni Rustemin. Kështu, ndërsa jepen ato të 13, 16, 18, 19, 30 qershorit dhe të 1 korrikut 1920, ishte hequr ajo e 14 qershorit, ku dëshmon nipi i Esat Toptanit, Xhemil bej Vlora, 42 vjeç, pronar dhe banues në Bordighera të Italisë. Kur pyetet nga hetuesi lidhur me A. Rustemin, ai deklaron se dikur ai kishte qenë në shërbim të policisë turke, ndërsa tani kishte kaluar në shërbim të qeverisë shqiptare. Për këtë ai mund të jepte një shpjegim të gjerë, nëse do të qe e nevojshme që të vihej ballë për ballë me të (AQSH, F. 417, D. 2, fl. 115).
Procesi hetimor i organeve franceze jo vetëm që nuk është botuar i plotë, por është retushuar dhe paraqitur pjesë-pjesë, duke pasqyruar kështu një informacion të deformuar.
3. Në këtë botim nuk përmendet angazhimi i vëllait të Avni Rustemit me forcat e Ballit Kombëtar dhe pushkatimi i tij nga komunistët gjatë luftës në Libohovë.



