Nga Xhevat Mustafa

Më 10 qershor 2024, kryeministri Edi Rama ishte në Prishtinë, me ftesë të kryetarit të LDK- së, Lumir Abdixhiku, për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”! Le t’i shmangim takimet dhe jo takimet, fjalimet e tij prej “lideri global”, “kumbullat e pjekme e të papjekme” që këputi; nderet që i bënë e nuk i bënë, por ta vështrojmë këtë vizitë të Edi Ramës në Kosovë me sy, mendje e xhepa qytetari të thjeshtë, për të mos thënë fjalën e rëndë, të varfër! 

Sikur kryeministri 11 vjeçar i Shqipërisë të ndiente e mendonte si qytetar i zakonshëm, me siguri nuk do të kalonte rrugës pa i parë nga dritarja e veturës së tij luksoze apo e xhipit jo më pak të kushtueshëm, tabelat elektronike në pikat e karburanteve të të dy shteteve me çmimet përkatëse.

Por nuk jam i sigurt nëse ka ndier keqardhje, turp nga vetja, pendesë…E pra, çmimet e karburanteve në “Shqipërinë e tij”, vend prodhues nafte, janë rreth 50 cent ose 50 lekë më të shtrenjtë se në Kosovë, vend jo prodhues!? Për më tepër, që një pjesë të karburanteve, që i duhen, Kosova e blen jo fort lirë nga Shqipëria nënë apo motër, që i ka dalë më së shpeshti si “njerkë e keqe”…!? Nëse do të kishte kohë të futej, gjithnjë si qytetar në një supermarket në Prishtinë, a do të ndjente vallë kryeministri Edi Rama befasi, çudi, përgjegjësi… që edhe çmimet e artikujve ushqimorë të konsumit të përditshëm jetik, si uji dhe lëngjet me fruta, buka, qumështi, kosi natyral e me fruta, djathërat dhe gjizërat, gjalpi, mishi, sallamet, mjalti, reçelrat, birrat, verërat, artikujt e higjenës personale e familjare, ato farmaceutike… domethënë shumëçka, në Kosovë janë rreth 25- 50% më të lira!!!??? 

Po unë si ia lejoj vetes “gabimin trashanik” ta fantazoj Edi Ramën t’i lejojë vetes apo ta lejojë veten të bjerë aq poshtë sa të shikojë, ndiej, mendojë si qytetar… i thjeshtë?!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *