Kombëtarja shqiptare po përgatitet për ndeshjen e fundit të kualifikueseve të Botërorit, ku kuqezinjtë do të përballen me Anglinë në stadiumin “Air Albania”. Në prag të këtij dueli, trajneri Silvinjo doli para mediave për të folur rreth gjendjes së skuadrës dhe situatës së krijuar pas ndeshjes së fundit me Andorrën.

Një prej temave më të diskutuara ishte sjellja e Armando Brojës në përfundim të sfidës Andorra–Shqipëri, ku sulmuesi u pa i mërzitur pas zëvendësimit, madje duke u larguar drejt dhomave të zhveshjes dhe më pas u rikthye për festë vetëm pasi u mor me zor nga Elseid Hysaj.

Silvinjo sqaroi se ka folur personalisht me Brojën dhe me gjithë grupin, duke theksuar se situata tashmë është zgjidhur plotësisht.

“Po, fola me të. Fola edhe me grupin. E kemi zgjidhur, nuk ka probleme. Ishte pak i zhgënjyer, por tani kjo ka kaluar,” deklaroi trajneri brazilian. Ai tregoi se zhgënjimi i Brojës erdhi nga fakti që u zëvendësua në një moment kur ekipi ishte në kërkim të fitores.

“Ishte i zhgënjyer që u zëvendësua. Por nuk e di pse ishte kaq i mërzitur. Në atë pikë ishim të gjithë të fokusuar për të marrë fitoren. Çështja është e zgjidhur dhe nuk ka asnjë problem,” shtoi Silvinjo.

Trajneri theksoi se atmosfera në grup është pozitive dhe se skuadra është e përqendruar maksimalisht për sfidën e rëndësishme ndaj Anglisë, ku synohet një paraqitje dinjitoze për të mbyllur me sukses këtë fushatë kualifikuese.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *