Kombëtarja e nisi me humbje fushatën eliminatore për Euro 2024 pasi u mund minimalisht 1-0 nga Polonia në Varshavë.
Skuadra jonë kombëtare zhvilloi një ndeshje të mirë duke mos qenë aspak inferiore ndaj polakëve dhe duke pasur më shumë mundësi shënimi, por pa i konkretizuar ato.
Tekniku Silvinjo e nis me humbje debutimin në stolin kuqezi, por tekniku brazilian beson se Shqipëria ka kualitet dhe mund të shkojë larg në këtë fushatë eliminatore.
Duke folur pas sfidës në Varshavë, ai theksoi se të besuarit e tij arritën të bllokonin manovrën sulmuese të polakëve duke shprehur njëkohësisht dëshpërimin për rastet e humbura nga lojtarët tanë.
“Jam i kënaqur, ekipi mu përgjigj shumë mirë. Ekipi tregoi shpirtin dhe zemrën në fushë, kundër një rivali shumë të fortë. Ishim në lojë deri në fund. Kishim shansin për të barazuar. Në qoftë se Uzuni do ta kishte bërë atë gol do të ishte rezultati më i drejtë, por futbolli kështu e ka.
Nëse flasim në këtë moment, një miqësore do na kishte bërë edhe më mirë. Bëmë 6 ditë përgatitje me ekipin për t’u njohur. Kemi punuar mirë, jemi njohur me njëri-tjetrin ato ditë që jemi përgatitur. Kushtet kanë qenë shumë të mira. Ekipi i ka pasur kushtet shumë të mira për të punuar. Për 6 ditë kishim kohë të mjaftueshëm për tu përgatitur. Është grup i vështirë dhe i ekuilibruar. Ne do të provojmë shanset tona. Prisnim që Polonia të kishte një ndryshim të skemës, ndodhi në fund. Zielinksi mund të luante si fantazist. E njohim shumë mirë Santos, Zielinski ishte më se shumti pjesë e mesfushës. Ata nuk bënë më shumë dhe nuk shkëlqyen, sepse ne nuk iu lamë hapësira. E kemi markuar shumë mirë Zielinskin me Ramadanin dhe Asllanin. Nuk u duk që ata luajtën më mirë se ne nuk iu lamë hapësira dhe bëmë një paraqitje të denjë.” – u shpreh Silvinjo.