Silvinjo doli në konferencë për shtyp para sfidës kualifikuese me Çekinë dhe miqësores me Bullgarinë ku ndër të tjera theksoi se kombëtaren e presin përballje të vështira dhe se është ende herët të flitet për llogaritë e kualifikimit.
Tekniku brazilian nuk e fshehu kënaqësinë e të pasurit shumë alternativa cilësore për repartin e sulmit në këtë fazë kaq të rëndësishme për ekipin.
“Që në fillim kemi thënë se llogaritë bëhen në nëntor. Më kujtohet që kemi thënë se është një grup i vështirë dhe i ekuilibruar dhe se kemi ndeshje të vështira. Në këtë moment nuk mund të bësh llogari. Më vonë, ndoshta në nëntor po. Kjo është ndeshje e vështirë. E vërtetë që luajmë në shtëpi, me njerëzit tanë, me atmosferë të jashtëzakonshme, por është e vështirë, mund të ndodhë gjithçka, si ndaj Polonisë. Ka kampionë në fushë, nga një anë dhe tjetra. Kemi lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Por çdo lloj llogarie bëhet vetëm në nëntor.
Shumë alternativa në mesfushë e sulm? Unë mendoj se është luks në sensin e mirë. Sa më shumë luan një lojtar, aq më shumë vjen entuziast dhe i fortë. Unë duhet të bëj një zgjedhje të 11 lojtarëve, ne kemi avantazh. Në këtë moment ne nuk jemi 11 por 25 dhe këtë e kanë kuptuar edhe lojtarët. 2-3 lojtarë kanë hyrë në lojë dhe kanë bërë 10-15 minuta të jashtëzakonshme, kanë dhënë shumë, kanë vendosur lojën.”- tha Silvinjo.