Shqipëria e ka mbyllur fazën kualifikuese me një humbje ndaj Anglisë, në një ndeshje ku kuqezinjtë zhvilluan një paraqitje dinjitoze në “Air Albania”, por u thyen nga dy gola të shënuar në fund të pjesës së dytë. Pas sfidës, trajneri Silvinjo doli në konferencën e zakonshme për mediat, ku vlerësoi performancën e skuadrës së tij dhe pranoi superioritetin e kundërshtarit.

“Nuk ishte rezultati që dëshironim, por luajtëm kundër një prej ekipeve më të mira në botë. Ishte e vështirë të përballesh me mënyrën se si ata ishin organizuar”, tha braziliani. Ai përmendi punën e mirë të lojtarëve në vijën e parë – Hoxha, Laçi, Bajrami, Uzuni – si dhe mesfushorëve Ramadani e Asllani. “Anglia është një ekip i jashtëzakonshëm, me nivel që synon Kupën e Botës. Jam shumë krenar për djemtë”, shtoi ai.

Silvinjo theksoi se Shqipëria luajti mirë ër rreth 70 minuta, por mungesa e përqendrimit në fund kushtoi shtrenjtë ndaj një skuadre që “të ndëshkon me 3–4 gola brenda pak minutash”. Trajneri bëri thirrje që skuadra të fokusohet tani te play-off-i i ardhshëm, duke theksuar se çdo gjë mbetet e mundur.

Sa i përket gjendjes së Armando Brojës, Silvinjo deklaroi se ende nuk ka marrë informacion të saktë nga stafi mjekësor, por pret që lojtari të kthehet te Burnley për të marrë minuta dhe për të rritur formën.

Kuqezinjtë tashmë presin shortin dhe nisjen e përgatitjeve për ndeshjet vendimtare të play-off-it.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *