Trajneri i Atletiko Madridit, Diego Simeone, është shprehur optimist para sfidës së sotme kundër Barcelonës. I pyetur për deklaratën e teknikut katalanas, Hansi Flick, i cili tha se Atletiko ka “potencial të madh”, argjentinasi zgjodhi të mos e komentojë drejtpërdrejt deklaratën e kolegut, por nuk e fshehu kënaqësinë.

“Preferoj të mos flas për atë që thonë të tjerët. Sigurisht, një kompliment është gjithmonë i këndshëm, por ne jemi të fokusuar tek rritja jonë si skuadër. Kemi ende shumë hapësirë për përmirësim dhe po punojmë në këtë drejtim”, u shpreh Simeone.

Ai theksoi se pret një ndeshje të vështirë, duke vlerësuar forcën sulmuese të Barcelonës.
“Është e qartë çfarë lloj ndeshjeje do të jetë. Barcelona ka një sulm të jashtëzakonshëm, një stil pozicional të konsoliduar dhe lojtarë me cilësi të madhe individuale. Ne duhet të jemi të fortë për të konkurruar dhe për ta çuar lojën aty ku besojmë se mund t’i dëmtojmë”, tha ai.

Simeone foli edhe për stilin e Barcelonës, duke theksuar se filozofia e tyre është e pandryshueshme.
“Të gjithë e shohin se si luan Barcelona. Ata nuk heqin dorë nga strategjia e tyre sulmuese dhe kjo u ka dhënë rezultate shumë të mira. Ne e dimë që luajmë kundër një skuadre me shumë variacione”, shtoi trajneri.

Në fund, ai komentoi shkurtimisht edhe për gjyqtarin e ndeshjes:
“Nuk jam mësuar të flas për arbitrat. I respektoj shumë dhe gjithmonë përpiqemi t’i ndihmojmë në çdo mënyrë që mundemi.”

Në këtë mënyrë, Simeone dërgon sinjale qetësie dhe vetëbesimi, duke besuar se Atletiko i ka mjetet për ta sfiduar Barcelonën në “finalen” e sotme.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *