Nga Besmir Lushaj

Prej vitesh, ose më saktë, prej dekadash, ligjërimi politik shqiptar vijon të karakterizohet nga mungesa e përmbajtësisë ideologjike dhe e konkretësisë programore.
Fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit përbën kulminacionin e degradimit të një ligjërimi pa përmbajtje që tashmë ka marrë trajtën e mirëfilltë të zhargonit bulevardesk dhe të kotësisë absolute.

Çdo ndjekës i vëmendshëm, me shqisë politike, lehtësisht vëren se “Lëvizja Bashkë” e drejtuar nga pedagogu, Arlind Qori po përçon një përqasje ndryshe, referuar ligjërimit, aksionit politik dhe disa orientimeve të mirëpërcaktuara ideologjikisht.

Unë, Arlind Qorin nuk e njoh nga televizioni, as nga rrjetet sociale. E njoh nga auditoret e universitetit si student i Masterit në “Teorinë Politike”. Arlind Qori ishte njëkohësisht dhe udhëheqësi im në punimin e diplomës.

Përvoja ime si student konstatoi një pedagog të përgatitur, serioz dhe me integritet profesional.

Aksioni politik i Arlind Qorit, për më shumë se një dekadë është identifikuar me “Lëvizjen për Universitetin” dhe me “Organizatën Politike”.

Po parashtroj fillimisht disa mospajtime ideologjike me orientimin e dy organizatave në fjalë, për të parashtruar në vijim disa argumente pse unë besoj se “Lëvizja Bashkë” ka hapur një transhe të re politike në moçalishten e skenës politike shqiptare.

Së pari, duke besuar në parimin e shtet-kombit, besoj se prosperiteti shoqëror, ekonomik, pasha gjeopolitike dhe fuqia në vendimmarrje, vitalizohen dhe jetësohen përmes unikimit të kombit brenda një njësie të vetme politike. Pra, unë besoj se një shtet i përbashkët i shqiptarëve në rajon do të sillte ekonomi më të fortë si rrjedhojë e bashkimit të resurseve ekonomike, prezencës gjeopolitike më ndikuese, rrjedhojë e vullneteve të unifikuara dhe progres social, rrjedhojë e harmonizmit dhe bashkërendimit të kategorive sociale, deri dje distante dhe pak të njohura me njëra-tjetrën.
Për dallim, “Lëvizja Bashkë” orientohet qartësisht nga kozmopolitizmi ideologjik, ku prioritet përbën bashkëjetesa paqësore mes kombeve duke u fokusuar vetëm në nevojën e avancimeve shoqërore të karakterit socio-ekonomik dhe duke i parë si të panevojshme bashkimet shoqërore mbi premisa etnike.

Së dyti, vërej njëfarë simpatie dhe shpeshtësie artikuluese që mëton të ofrojë ish-regjimin komunist në Shqipëri si realitet të një barazimtarie shoqërore, ligjërim i orientuar nga ofrimi i disa shërbimeve që ai regjim i ofronte falas, ndërsa sot janë shndërruar në shërbime luksi. Kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Në vitin 1980, në koperativën e Bytyçit në Malsinë e Gjakovës (Tropojë) një ditë pune e një koperativisti vlerësohej 10 lekë, ndërkohë që një bukë gruri kushtonte 40 lekë. Katër ditë pune për një bukë… Nuk shoh qëndrime të qarta për katalogun e krimeve monstruoze që ai regjim kreu ndaj shumë shqiptarëve të pafajshëm. E theksoj, të pafajshëm, sepse qasjet në arkivat dikur të ndaluara, dokumentojnë se ai regjim kishte nevojë të sajonte armiq dhe të montonte procese gjyqësore fiktive të pasuar me viktima si instrument mbijetese.

Së treti, më bën shumë përshtypje njëfarë simetrie ligjërimore, njëjtë si në rastin e ish-regjimit komunist në Shqipëri, që shpreh simpati për ish-Jugosllavinë, si pasqyrë e një shoqërie që jetësoi njëfarë morali të shëndoshë socio-ekonomik, në një kohë kur shqiptarët patën një trajtim përngjasues me atë të Aparteidit afrikan. Shqiptarët në ish-Jugosllavi kishin të drejtën të lëviznin jashtë Federatës, por nuk kishin të drejtë të shkruanin gjuhën e tyre në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare. Deri në vitin 1974, shqiptarët e Kosovës ishin reminishencë e Aparteidit. Logjika që e paraqet kolonizatorin si ofrues të një rendi social të ndërtuar mbi ekzistencën paqësore të popujve është jorealiste dhe ahistorike.

Merita e padiskutueshme e “Lëvizjes Bashkë” qëndron në faktin se ajo ka lindur dhe për një dekadë është kultivuar si sindikalizëm politik.
Fillimisht kundërshtoi reformën klienteliste në arsimin e lartë që kjo qeveri e shiti në analet e propagandës si reformë anglo-saksone.
Ishte kjo lëvizje politike që solli në diskursin publik kauzën e arsimit të lartë falas.
Ishte kjo lëvizje politike që si asnjë subjekt tjetër në këto tri dekada, shpërfaqi mizerinë e shtypjes së minatorëve, naftëtarëve dhe punëtorëve shqiptarë.
Ishte kjo lëvizje politike që organizoi tubime dhe peticione për miratimin e minimumit jetik, akt politik ky, bazik në çdo shoqëri demokratike.

Sot, “Lëvizja Bashkë” është i vetmi subjekt në garën për zgjedhjet lokale të 14 majit që ofron një program të shkruar me 10 pika  dhe me prioritete të mirëpërcaktuara.
Arlind Qori po i përmend me emra Samir Manen dhe Shefqet Kastratin me enturazh, pikërisht ortakët e pushtetit, uzurpuesit dhe grabitqarët e njohur të pasurisë dhe të hapësirës së përbashkët publike.

Sot, Arlind Qori po artikulohet njëkohësisht si drejtuesi i një partie të gjelbër, aq shumë të munguar në skenën politike shqiptare. Nevoja për parqe publike dhe zgjerim të hapësirave ekzistuese, tashmë nuk mund të jenë thjeshtë qasje programore, por nevoja të ngutshme në kuadër të mbijetesës në një kryeqytet që i përngjan çdo ditë dhe më shumë një grumbulli të palosur nën një kometë të shpërthyer betoni.
Shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe klasës politike në veçanti, i nevojitet një forcë politike që e kthen kauzën e shtetit social në identitet të sajin politik.

A do të arrijë “Lëvizja Bashkë” të jetë amanetqare e devotshme e përfaqësimit politik të atyre që nuk patën kurrë përfaqësim e që askush nuk foli kurrë për ta dhe në emër të tyre?

Koha do e provojë. Faktet tregojnë se sot “Lëvizja Bashkë” ka kauzë politike, ka qartësi socialdemokratike, ka vokacion të pastër antisistem.

Nëse klasa e sotme politike i ka ezauruar etapat e sundimit deri në konsolidimin e një despotizmi të mirëfilltë, atëherë, socializmi i Arlind Qorit ofron variantin dubçekian: Socializmin me fytyrë njeriu!

Botuar në Kumti.net

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *