Gjatë 24 orëve të fundit, në Shqipëri janë regjistruar 21 vatra zjarri, prej të cilave 7 janë shuar, ndërsa 14 vijojnë të jenë aktive. Forcat zjarrfikëse, policia, ushtria dhe vullnetarët po punojnë intensivisht në terren, duke u mbështetur edhe nga avionë dhe helikopterë zjarrfikës për të ndaluar përhapjen e flakëve.
Qarku Vlorë – Zona më kritike
Situata më problematike vijon të jetë në qarkun Vlorë, ku zjarret në bashkinë Finiq kanë kaluar në fshatin Krane dhe në zona të tjera malore. Terreni i thyer dhe era e fortë kanë vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen në terren. Për mbështetje janë angazhuar avionët zjarrfikës, përfshirë avionin Kroat Canadair, për të ndaluar përhapjen e zjarrit.
Vatra të tjera aktive
Përveç Vlorës, zjarre aktive janë raportuar edhe në qarqet Lezhë, Dibër, Berat, Shkodër, Tiranë, Durrës dhe Gjirokastër. Në disa prej tyre flakët janë izoluar dhe monitorohen me kujdes, ndërsa në të tjera forcat zjarrfikëse dhe vullnetarët vazhdojnë punën për shuarjen.
Në fshatin Rëzom pranë Tunelit të Skërficës, zjarri ka përfshirë sipërfaqe me shkurre dhe pyje, ndërsa në Lukovë të Himarës dhe në bashkinë Poliçan, zjarret po përfshijnë ullishte dhe zona me shkurre. Në fshatin Goriçan të bashkisë Dimal, zjarri ka prekur ullinj, ndërsa në fshatin Zagore të Malësi e Madhe, flakët janë të vështira për tu kontrolluar për shkak të terrenit të paaksesueshëm.
Në qarqet Tiranë dhe Durrës, era e fortë po vështirëson ndërhyrjen, megjithatë helikopterët zjarrfikës dhe forcat në terren vazhdojnë operacionet. Situata në qarqet Durrës, Dibër dhe Lezhë raportohet nën kontroll, me patrullime dhe monitorim të vazhdueshëm.
Zjarr masiv në periferi të Cërrikut
Një vatër zjarri masiv shpërtheu në periferi të qytetit të Cërrikut, duke rrezikuar ullishtet, vreshtat dhe bizneset lokale. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe pranë ish-uzinës së rafinerisë së naftës dhe po përhapen me shpejtësi drejt zonave të banuara. Era e fortë dhe temperaturat e larta po përkeqësojnë situatën.
Forcat zjarrfikëse nga Bashkia Cërrik dhe bashkitë përreth po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e zjarrit, duke përdorur edhe mjete të shumta zjarrfikëse. Ndërkohë, policia dhe grupet hetimore po vazhdojnë hetimet për shkakun e zjarrit, ku dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, shkëndija elektrike, ose shkaqe natyrore.