Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në territorin e Shqipërisë ka gjithsej 50 vatra zjarri, prej të cilave 19 janë aktivizuar në 24 orët e fundit.
NJOFTIMI I PLOTË:
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 prej të cilave mbeten ende aktive.
Vatrat aktive janë si më poshtë:
Qarku Vlorë – Në bashkinë Finiq dhe Delvinë, pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër, vijon të jetë aktive dhe problematike një vatër, ndërsa në terren po operojnë 8 mjete zjarrfikëse (4 prej tyre të Forcave të Armatosura) dhe rreth 90 forca operacionale, të mbështetura nga helikopteri i Forcës Ajrore, 2 avionë PZL grekë, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Sot pritet të vazhdojë puna me të njëjtat kapacitete, të ndihmuara edhe nga një helikopter Black Hawk i Forcës Ajrore. Në Parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), te maja e “Lucës”, mbi tunelin e Skërficës, vazhdon zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje. Terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka. Situata po monitorohet dhe paraqitet e qëndrueshme.
Qarku Dibër – Në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit, Bashkia Bulqizë (zonë e mbrojtur), vazhdon aktive një vatër me intensitet mbi fshatin Val, larg zonave të banuara, ku digjen bimë të rralla dhe barishte. Situata po mbikëqyret nga autoritetet vendore. Në fshatin Xibër, bashkia Klos, vatra e zjarrit është izoluar dhe po mbahet në monitorim.
Qarku Berat – Në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive një vatër zjarri. Në vendngjarje po punojnë 5 mjete dhe rreth 75 forca operacionale, të mbështetura nga ajri me helikopterin e Forcës Ajrore. Në fshatin Rehovë, bashkia Poliçan, zjarri ka përparuar pranë banesave. Është bërë evakuimi i banorëve dhe kanë operuar forca vendore.
Qarku Tiranë – Vijon aktiv zjarri në “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, ku forcat operacionale vijojnë punën për shuarjen. Në fshatin Stërbeg, bashkia Rrogozhinë, zjarri ka kaluar në fshatin Spanesh. Në vendngjarje ndodhen forca dhe mjete nga MZSH Rrogozhinë. Në fshatin Hajdaraj, bashkia Kavajë, vatrat janë drejt shuarjes së plotë, të mbështetura nga ajri me një avion. Në lartësitë dominuese të fshatrave Damjan dhe Isufaj, zona Arbanë, njësia administrative Vaqarr, ka rënë zjarr i madh. Po veprojnë 6 mjete dhe rreth 40 forca, si dhe një avion Canadair kroat. Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, bashkia Tiranë, zjarri është përhapur në sipërfaqe me shkurre dhe ferra; situata paraqitet e ndërlikuar dhe rrezikohen banesa. Forcave në terren u janë bashkuar 2 helikopterë Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Në kodrat e Selitës, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nuk ka akses për ndërhyrje me mjete; situata po monitorohet.
Qarku Durrës – Në fshatin Barkanesh, bashkia Krujë, është aktivizuar një vatër zjarri në terren të vështirë. Qarku Gjirokastër – Në fshatin Turan, bashkia Tepelenë, vijon puna për shuarjen e zjarrit që u përhap drejt fshatrave Lekel dhe Koder, ku u dogjën dy stalla (me dëme minimale në bagëti). Në terren janë angazhuar rreth 100 forca dhe mjete nga i gjithë qarku, si dhe dy helikopterë (çek dhe sllovak).
Qarku Elbasan – Në fshatin Mukaj dhe në fshatin Sojnik, bashkia Gramsh, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Po punojnë forcat e MZSH Gramsh të mbështetura nga 25 efektivë të FA Elbasan.
Qarku Shkodër – Është aktivizuar një vatër zjarri në hyrje të qytetit Pukë. Situata është në kontroll dhe nuk paraqet rrezik. Në fshatin Xath, bashkia Fushë Arrëz, zjarri ka përfshirë sipërfaqe me pisha, ku ndërhyrja tokësore është e pamundur. Po veprojnë afro 80 forca vendore dhe 65 forca të FA me 2 mjete zjarrfikëse.
Qarku Kukës – Në fshatin Gegaj, bashkia Tropojë, është aktivizuar një vatër zjarri pa rrezik për banesat. Janë angazhuar rreth 60 forca dhe 5 mjete zjarrfikëse. Vatra është e izoluar. Në bashkinë Kukës, në zonën pyjore “Maja e Zezë”, fshati Shëmri, vatra është nën monitorim.
Qarku Korçë – Në fshatin Gërmenj, bashkia Kolonjë, është aktivizuar një vatër zjarri në pyje me pisha. Terreni i vështirë e bën të pamundur ndërhyrjen tokësore; situata po monitorohet.
Bilanci i angazhimit:
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.
Mjete ajrore që operuan dje:
1 avion Canadair kroat 2 avionë PZL grekë 1 Black Hawk nga Republika Çeke 1 Black Hawk nga Sllovakia 2 Black Hawk nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë
Pritet të operojnë sot:
2 Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe 1 Black Hawk nga Republika Çeke 1 Black Hawk nga Sllovakia 2 Black Hawk nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë
Sipas IGJEO, sot nuk priten reshje. Për zjarret në pyje, pritet nivel rreziku “I LARTË” në të gjitha qarqet, ndërsa në disa zona të lokalizuara të qarqeve Shkodër (jug), Lezhë (veri) dhe Elbasan (perëndim) pritet rrezik “SHUMË I LARTË”.
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 41°C në zonat e ulëta, ndaj përsëritet thirrja për qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet vendore për çdo vatër zjarri.