Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, ku mjeku gjinekolog Juljan Habibaj, 53 vjeç, është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj kryeinfiermieres së institucionit.
Sipas burimeve zyrtare, konflikti ka nisur për shkak të kundërshtimit të kryeinfiermieres 60-vjeçare ndaj protokollit mjekësor që duhej të ndiqej për një paciente të shtruar në maternitet. Debati verbal mes tyre ka degraduar në dhunë fizike, ku mjeku dyshohet se e ka kapur prej fyti kryeinfiermieren.
Pas njoftimit të Policisë, në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 3, të cilët kanë bërë arrestimin e mjekut në flagrancë.
Burime nga institucioni shëndetësor bëjnë me dije se ndaj Juljan Habibajt ishin marrë më parë plot 11 masa disiplinore për shkelje të përsëritura të rregullores dhe etikës profesionale, fakt që e rëndon ndjeshëm pozitën e tij ligjore dhe profesionale.

