#image_title

Tymu toksik që mbuloi Elbasanin në korrik 2024 u kthye në simbolin e një prej skandaleve më të mëdha korruptive në historinë e shtetit shqiptar – aferën e inceneratorëve. Me një investim që duhej të shënonte përparim në menaxhimin e mbetjeve dhe mbrojtjen e mjedisit, realiteti tregoi të kundërtën: inceneratorë që nuk funksionojnë, miliona euro të zhdukur, dhe qytete që digjen mbi grumbuj mbetjesh.

Afera nisi me tre kontrata të mëdha për ndërtimin e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, përmes modelit koncesionar BOT (Build–Operate–Transfer). Vlera totale e kontratave arriti mbi 130 milionë euro. Në Elbasan, kontrata ishte rreth 22–24 milionë euro. Fierit iu dhanë 39 milionë, ndërkohë që kompania kërkoi më vonë edhe 4 milionë të tjera shtesë për të mbaruar punimet. Ndërsa në Tiranë, u shpenzuan mbi 65 milionë euro për një incenerator që as nuk u ndërtua. E megjithatë, pagesat vijuan për vite me radhë nga buxheti i shtetit.

Hetimet e nisura nga SPAK sollën një tronditje në hierarkinë politike dhe administrative të vendit. Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u dënua me 6 vite e 8 muaj burg. Ish-deputeti socialist Alqi Bllako u dënua me 2 vite e 8 muaj, ndërsa biznesmeni Klodian Zoto mori 12 vite burg (reduktuar në 8). Të përfshirë në skemën korruptive rezultuan edhe Mirel Mërtiri e Stela Gugallja, të cilët u akuzuan për mashtrim, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim me zyrtarët publikë.

Aktualisht, inceneratori i Fierit është sekuestruar dhe po rigjykohet pas vendimit të apelit. Ai në Elbasan nuk funksionon, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore çdo verë, ndërsa projekti i Tiranës ka mbetur në letër. Kompania koncesionare e Tiranës u sekuestrua në gusht të vitit 2023, ndërkohë që hetimet vazhdojnë, përfshirë emra të njohur të politikës shqiptare si Arben Ahmetaj, ndaj të cilit është lëshuar urdhër-arrest. Sot, qytetet shqiptare nuk kanë inceneratorë funksionalë, por kanë një histori të rëndë dështimi institucional dhe korrupsioni të shfrenuar që mbart një kosto të madhe për shëndetin publik dhe të ardhmen e mjedisit.

By Editor