Një skandal i madh që përfshin shitjen e diplomave dhe certifikatave false ka dalë në dritë, duke tronditur si Shqipërinë ashtu edhe Italinë. Në qendër të kësaj skeme mashtruese ndodhet një çift italian, Savino Cianci, i njohur si Nino Cianci, dhe bashkëshortja e tij Lucia Catalano, të cilët janë administratorët e Kolegjit Universitar Wisdom në Tiranë. Mediat italiane raportojnë se çifti shfrytëzuan lidhjet e tyre me autoritetet shqiptare për të marrë licencimin e universitetit në këmbim të përfitimeve korruptive, përfshirë një çantë luksoze Louis Vuitton me vlerë 1200 euro, dhuruar presidentes së Këshillit të Akreditimit në Shqipëri.
Hetimet e nisura nga Guardia di Finanza zbuluan se Wisdom, një institucion që pretendohej të ishte qendër mësimdhënieje për studentë ekselentë, në fakt ishte pjesë e një skeme mashtrimi që shiste diploma false kundrejt shuma të mëdha parash. Pagesat për diplomat varionin nga 6 mijë deri në 20 mijë euro, në varësi të degës së studimit dhe nivelit të diplomës. Një nga viktimat e skemës kishte paguar deri në 19.500 euro për një master të rremë, ndërsa diploma të tjera në fushën e kriminologjisë dhe hotelerisë kushtonin përkatësisht 9 mijë dhe 6 mijë euro. Dokumentet e universitetit ishin shpesh të falsifikuara, disa prej tyre me të dhëna të palexueshme, dhe në disa raste kopje të falsifikuara të diplomave nga universitete prestigjioze si La Sapienza në Romë.
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar disa persona, përveç Cianci dhe Catalano, përfshirë Maria Saveria Modaffari, Fortunata Giada Modaffari, Maria Attisano, Leonardo Catalano, Marco Lombardi, Antonio Caporale dhe Maria Mdaraa. Hetimet vazhdojnë si në Itali ashtu edhe në Shqipëri, megjithatë, ende nuk ka informacione të qarta në lidhje me shtrirjen e plotë të operacionit dhe hetimeve nga autoritetet shqiptare.
Savino Cianci dhe Lucia Catalano ishin të njohur për stilin e tyre luksoz të jetesës, me udhëtime të shpeshta dhe takime me figura të rëndësishme akademike dhe zyrtare.