Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Anxhela Paparizo, ka reaguar ndaj akuzave për marrje ryshfeti dhe problematikave me operacionet, duke deklaruar se nuk ka dijeni për raste të tilla dhe se nuk ka asnjë denoncim zyrtar.
Në një konferencë për mediat së bashku me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, ajo bëri të ditur se shumë shpejt pritet të nisë shërbimi në godinën e re të kardiologjisë në QSUT. Sipas saj, janë marrë të gjitha masat për hapjen e kësaj godine, ndërsa stafi e ka marrë tashmë në dorëzim ambientin.
Paparizo theksoi se vetëm ndërtimi i një godine të re nuk do të thotë se shërbimi i kardiokirurgjisë mund të nisë menjëherë, pasi kërkohen përgatitje dhe koordinim me stafin mjekësor.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për akuzat mbi marrjen e lekëve nën dorë, drejtoresha u shpreh se nuk ka informacion për raste të tilla dhe se nuk është paraqitur asnjë denoncim zyrtar. Ajo shtoi se nëse ka raste konkrete, ato duhet të raportohen në mënyrë që të trajtohen nga institucionet përkatëse.

