Shefi i Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Përmetit, Dhurim Çenko, është pezulluar nga detyra pasi dyshohet se ka qenë në dijeni të abuzimit seksual ndaj një 16-vjeçareje, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ligjor për ta ndaluar.
Sipas burimeve zyrtare, Çenko dhe disa efektivë të tjerë të policisë janë referuar për verifikim në Drejtorinë Rajonale të AMP Vlorë-Gjirokastër, pasi dyshohet se kanë qenë të informuar për rastin, por kanë preferuar të heshtin.
Ngjarja u bë publike më 18 shtator, kur në rrjetet sociale nisën të qarkullonin mesazhe shantazhuese lidhur me abuzimin e kryer nga efektivi i policisë Artur Ago, i cili akuzohet se ka abuzuar seksualisht për rreth tre vite me të miturën.
Përveç Agos, në skandal janë përfshirë edhe dy persona të tjerë: Kristian Prifti, koleg i tij, i cili dyshohet se ka pasur marrëdhënie intime me të miturën në të njëjtën periudhë, si dhe Isi Pasho, 27 vjeç, i cili akuzohet për shantazh dhe moskallëzim krimi. Prifti dhe Pasho dyshohet se i kanë kërkuar Agos 12 mijë euro për të mos publikuar një video në një emision investigativ.Rasti vazhdon të hetohet nga organet kompetente, ndërsa pritet që ndaj të gjithë të implikuarve të ngrihen akuza të rënda për shpërdorim detyre dhe abuzim seksual me të mitur.