Nga Enis Sulstarova

“Skënderbeu frymëzoi poetët, historianët, skulptorët tanë. Ai po na frymëzon edhe sot e kësaj dite. Ngadonjëherë pyes veten i habitur nëse mund të ketë sot ndonjë njeri që të jetë po aq i gjallë sa Skënderbeu”   Fan Noli, 1960

Emri i Skënderbeut ishte i shënuar në armën me të cilin terroristi Brenton Tarrant vrau dhjetëra besimtarë myslimanë në dy xhami të Zelandës së Re, më 15 mars të vitit 2019. “Skanderbeg” qëndronte midis emrave të tjerë që Tarranti kishte shkruar mbi armë dhe që u përkisnin udhëheqësve ushtarakë të krishterë që në epokën mesjetare kishin ngadhënjyer ndaj ushtrive kundërshtare myslimane. Tarranti ishte i frymëzuar prej tyre dhe e shihte veten si luftëtar i shek. XXI që po mbronte qytetërimin perëndimor prej emigrantëve “barbarëve” islamikë. Përfshirja e emrit të heroit kombëtar të shqiptarëve në këtë ngjarje të rëndë na bën të mendojnë për poliseminë e figurës së Skënderbeut, e cila nuk ka pushuar së frymëzuari njerëz e kolektiva njerëzorë në kohë e situata të ndryshme. Rreth personit të tij janë ndërtuar shumë mite politike. Këtu “mitin politik” e kuptojmë sipas përkufizimit të Kiara Botiçit [Chiara Bottici]: rrëfim mbi ngjarje të së kaluarës që përcjell kuptime etike e morale dhe që mbështet botëkuptime të caktuara të një kolektivi njerëzor. 

Mitet politike përdoren për legjitimimin e formimit dhe për ruajtjen e ekzistencës së një bashkësie politike dhe Skënderbeu është figura mitike më e rëndësishme e kombit shqiptar. Si i tillë ai është formuar kryesisht përmes shkrimeve të Rilindjes sonë Kombëtare. Përpara se të ishte objekt i hulumtimeve të historianëve shqiptarë, ai ishte bërë tashmë një figurë mjaft popullore në mesin e shqiptarëve. Historia është një burim i pasur për mitet, por kjo nuk do të thotë se çdo ngjarje historike shndërrohet në mit politik. Si historia, po ashtu edhe miti, rrëfehen prej këndvështrimeve të së tashmes, por vetëm ato rrëfime historike që sigurojnë domethënie për përvojën politike të një grupi në të tashmen mund të funksionojnë si mite politike. Gjithashtu, edhe miti është orientim për historinë: historiografia shqiptare është përqendruar më shumë dhe ka qenë më prodhimtare për epokën e Skënderbeut se sa për disa dhjetëvjeçarë, madje edhe shekuj, që i paraprijnë apo pasojnë atë. 

Për formimin e mitit politik të Skënderbeut janë vitet vendimtare vitet 1443-1444. Braktisja e ushtrisë osmane në Nish, marrja e Krujës më 28 Nëntor 1443 dhe e disa kështjellave të tjera përqark saj solli përhapjen e kryengritjes në një territor më të gjerë se sa zotërimet e Kastriotëve. Bashkëpunimi midis vatrave të kryengritjes shqiptare dhe krijimi i një organizimi ushtarako-politik u panë si domosdoshmëri dhe ata çuan në mbajtjen e Besëlidhjes së Lezhës në 2 mars 1444. Besëlidhja e Lezhës në epokën e Rilindjes u konsiderua si themelimi i shtetit kombëtar shqiptar dhe pak a shumë këtë linjë interpretimi ka ndjekur edhe historiografia shqiptare. Prova e zjarrit e Besëlidhjes ishte fitorja në Betejën e Torviollit, më 29 qershor 1444. Mbi këto dy vite të parë të kryengritjes bazohet mësimi moral i mitit politik të Skënderbeut, si udhëheqës dhe përfaqësues i qëndresës shqiptare ndaj superfuqisë së kohës. Do të mjaftonte Besëlidhja e Lezhës dhe Beteja e Torviollit për ta vendosur Skënderbeun në historinë e shqiptarëve. Lidhur me këto dy vite të vrullshme të veprimtarisë ushtarake dhe politike të Skënderbeut, historiani Doan Dani shkruan se “viti 1443 shënjon lindjen e Skënderbeut, në kuptimin e materializimit të tij në historiografi: praktikisht ai lind dy herë, më 1405 si event kalendarik – datë e pranueshme konvencionalisht më shumë sesa nga fakte të pakontestueshme – dhe më 1443 si event historik” (“Shpikja e mesjetës”, 2016, f. 385).  

Sipas rrëfimit mitit të bëmave të Skënderbeut, fitorja në Torvioll u bë e mundur jo thjesht nga bashkimi politik i shqiptarëve, por edhe idealet që e frymëzonin: liria dhe atdhedashuria. Kur shqiptarët bëhen tok dhe luftojnë për pavarësi, kur bashkohen për mbrojtjen e atdheut, ata janë të pamposhtur. Nëse në betejën e parë Besëlidhja nuk do të kishte ngadhënjyer, ndoshta nuk do të vijonin as fitoret e tjera të saj kundër ushtrive më të mëdha osmane, fitore të cilat konfirmojnë mitin e pathyeshmërisë së shqiptarëve të bashkuar. Largimi i mëvonshëm i disa bujarëve prej Besëlidhjes, pavarësisht arsyeve dhe rrethanave që përmenden në histori, nuk e cenon mitin politik të Skënderbeut. Figura e tij në rrëfimet e Rilindjes dhe më pas kondenson vetë kombin shqiptar. Për pasojë, ata u  janë larguar prej Besëlidhjes dhe Skënderbeut trajtohen si tradhtarë ose thjesht zbehen në rrëfime të ndryshme (p.sh. Hamza Kastrioti, Dukagjinët), ndërkohë që ato figura bashkëkohëse, të vërtetë apo të trilluar më pas, që i qëndrojnë besnikë apo i afrohen Skënderbeut, përvijohen më të qartë e marrin më shumë vëmendje në kujtesën kolektive (p.sh. Vrana Konti apo Moisi Golemi). Vetë vdekja e heroit përforcon mesazhin moral e politik të Besëlidhjes të Lezhës; te poema “Istori e Skënderbeut” e Naim Frashërit, skena e fundit të heroit dominohet nga fabula e shkopinjve të tubuar që nuk mund të thyhen, përmes së cilës ai u le shqiptarëve amanetin e bashkimit për mbrojtjen e lirisë. Sigurisht që përmes mitit të Skënderbeut, Rilindja ka përcjellë edhe kuptime të tjera politike, por ata kanë qenë periferikë dhe në funksion të idesë së bashkimit të shqiptarëve për arritjen e pavarësisë. Kështu, te shkrimet e rilindësve gjejmë argumentin se Skënderbeu shpëtoi Evropën e krishterë nga pushtimi turk, por shumicën e herë ai përmendej si një lloj kujtese ndaj “Evropës” për t’ia kthyer borxhin shqiptarëve. Te shkrimet e rilindësve, që krijuan frymën kombëtare të shqiptarëve motivi fetar është thuajse përjashtuar prej mitit të Skënderbeut, sepse patjetër që do të kishte rol përçarës dhe do t’i binte ndesh kuptimit kryesor të mitit dhe do ta zhbënte atë.

Roli përbashkues i mitit të Skënderbeut te shqiptarët nuk do të qëndronte dot në këmbë po të mos mbështetej nga fakte historike. Në vitet e fundit janë rihapur diskutime midis historianëve mbi motivin e qëndresës së gjatë dhe këmbëngulëse të Skënderbeut ndaj pushtimit osman. Burimet më autentike që kemi për të hamendësuar mbi botëkuptimin e heroit dhe të motiveve të luftës së tij janë letrat që mbajnë vulën e vetë Skënderbeut. Ndoshta për këtë arsye më e cituara syresh është ajo që ai i dërgoi Princit të Tarantos në vitin 1460, gjatë fushatës që ndërmori në jug të Italisë për t’i ardhur në ndihmën mbretit Ferrant të Napolit. Princi i Tarantos, pjesëtar i partisë kryengritëse që përkrahte një pretendent anzhuin për fronin e Napolit, i kishte thënë Skënderbeut që ky nuk kishte arsye fetare apo politike për ndërhyrjen e tij në punët e Mbretërisë së Napolit. Ferranti nuk shquhej për përkushtim fetar dhe ai ishte vënë tashmë për shpatulla për muri nga kundërshtarët, prandaj, shkruante Princi, Skënderbeu do të bënte mirë që trupat e tij t’i ruante për të mbrojtur tokat e veta prej turqve. Përgjigja e Skënderbeut tërthorazi tregon për motivimin pas luftës së tij të gjatë. Ndërhyrja e tij në favor të Ferrantes arsyetohet me ndihmën që i ati, Alfonsi, i ka dhënë në luftën kundër turqve dhe, për sa i përket përkushtimit fetar, të gjithë ata që marrin pagëzimin janë njëlloj të krishterë, vetëm zoti e bën dallimin, por Skënderbeu thotë me siguri që “të pafetë [turqit osmanë] nuk çmojnë as nuk druan, veçse flamujtë e lavdishëm të derës së Aragonës”. Pra, Skënderbeu gjithçka e gjykonte në prizmin e luftës për të mbrojtur vendin e tij. Meqenëse Venediku që shpeshherë bënte lojë të dyfishtë, e vetmja prapavijë që i mbetej Skënderbeut dhe arbërve kryengritës ishte Napoli, aq më tepër që Napoli do të ishte objekti tjetër i sulmit osman nëse binte Kruja. Këtë ai ia thotë shkoqur Princit të Tarantos: “të kisha mbetur unë i mundur… ai zotërim që ju thoni se është juaji, do të ishte i turqvet. Skëndërbeut i interesonte të shihte në fronin e Napolit pasardhësin e Alfonsit dhe jo anzhuinët, të cilët nuk e kishin ndihmuar luftën e tij. Përderisa aragonezët ishin armiq të turqve ata ishin aleatët e tij dhe, rrjedhimisht kryengritësit e partisë anzhuine ishin edhe armiqtë e tij. Arsyetimit dhe veprimit të Skënderbeut në krah të Ferrantes i dhanë të drejtë ngjarjet historike. Pas vdekjes së tij dhe rënies së Krujës e Shkodrës, osmanët sulmuan Ontranton dhe Mbretëria e Napolit përkrahu zbarkimin e Gjon Kastriotit, Konstandin Muzakës, Pal e Nikolla Dukagjinit në Arbëri. Letra e tij tregon, siç vëren edhe historiani Pëllumb Xhufi se shqetësimi madhor i Skënderbeut ishte mbrojtja ndaj osmanëve, ndërsa feja e krishterë ishte ideologjia përmes së cilës ai siguronte “bashkimin e shqiptarëve me njëri-tjetrin dhe aleancë politike e ushtarake me fuqitë e krishtera të Europës” (“Skënderbeu: Ideja dhe krijimi i shtetit”, 2019, f. 121). Këto fakte vlerësuan rilindësit për të ndërtuar mitin politik të Skënderbeut në gjysmën e dytë të shek. XIX.

Nuk është plotësisht i saktë gjykimi se mitet përdoren veçse për të ruajtur traditën dhe statuskuonë, sepse gjithnjë ekziston mundësia që me anë të miteve të caktuara të kritikohet realiteti dhe të ndërtohen projekte të reja politike e shoqërore. Me anë të apelit te miti mund të kërkohen ndryshime, për vetë faktin se miti e relativizojë të tashmen duke e vënë përballë moralit “të pakohë” që përmban ai vetë. Këtë e dëshmon Rilindja Kombëtare Shqiptare, e cila me anë të ringjalljes së kujtesës për Skënderbeun kërkonte që shqiptarët të përfytyronin një jetesë të pavarur kombëtare, një fillim të një epoke të re. Duke u rikthyer te epoka e Skënderbeut, ata projektonin të ardhmen e  kombit shqiptar. Në veprat e rilindësve “zgjimi” kombëtar  i shqiptarëve do të thoshte kujtim dhe zbatim i amanetit të Skënderbeut, që nga vargjet “të gjithë si vllazen në nji besë shtrengonju!” të Vaso Pashës e deri te hapja e himnit “Rreth flamurit të përbashkuar” të Asdrenit. Në vitin 1960, Fan Noli, një nga biografët e parë shqiptarë të Skënderbeut, duke kujtuar me vatranët veprimtarinë e periudhës së Rilindjes, thotë se “problemi i tij pesëqind vjet më parë ishte pikërisht i njëjti problem që kishim edhe ne në Rilindjen Shqiptare” (“Vepra 4”, 1989, f. 613). 

Gjatë përpjekjeve të kombit shqiptar për liri, bashkim e zhvillim, miti politik i Skënderbeut – i shfaqur me flamurin, emblemën dhe imazhet e tij – ka  qenë frymëzimi kryesor, i gjithë-pranuar dhe përtej çdo ideologjie të regjimeve. Prandaj orvatjet e disave për ta prezantuar “ndryshe” Skënderbeun te shqiptarët, si një “kryqtar të vonuar”, si një princ që me masakra ndaj të konvertuarve myslimanë e vulosi me një pakt gjaku aderimin e Arbërisë në “Evropën” e kohës, apo prezantimi i tij si një gjeneral pararendës i NATO-s (!), jo vetëm që nuk sjellin asgjë të re në interpretimet historike, por zhvendosin domethënien kryesore të mitit të tij, të pranuar gjerësisht nga kombi shqiptar.

(Botuar te revista “Shenja”, maj 2021)

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *