Shërbimet publike të ofruara nëpërmjet internetit krijuan lehtësi dhe shpejtësi në marrjen e tyre nga qytetarët, por po ashtu ekspozuan edhe të dhënat personale te qytetarëve.
Një sondazh i zhvilluar nga “Monitor” në faqen e internetit dhe rrjetet sociale tregoi që zhvendosja online e shërbimeve publike rezultoi një “thikë me dy presa”.
Pyetjes “Cili është mendimi juaj për shërbimet publike online?”, 37% e pjesëmarrësve iu përgjigjën me alternativën “Rrezikuan të dhënat personale”, ndërsa 36% u përgjigjën “Krijuan lehtësi dhe shpejtësi”.
20% e pjesëmarrësve në sondazh mendojnë se zhvendosja online shërbimeve publike vetëm sa shtoi më shumë problemet dhe vonesat, ndërsa vetëm 7% e pjesëmarrësve u shprehën se shërbimet publike online ulën korrupsionin.
Megjithëse dixhitalizimi i shumë shërbimeve e ka lehtësuar marrjen e tyre nga publiku, duke kursyer kohë, ai pati edhe një anë tjetër të medaljes, dështimin për të siguruar standarde të mjaftueshme të sigurisë së informacionit. Sulmi i rëndë kibernetik mbi e-Albania në vitin 2022 dhe në vazhdim mbi sistemet e institucioneve të tjera publike e dëshmoi këtë qartë.
Shteti nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për incidentet flagrante të rrjedhjes së të dhënave personale të shtetasve shqiptarë. Shqiptarëve prej vitesh po u qarkullojnë në publik lista me numrin personal të identifikimit, numrin e telefonit, pagën mujore apo targën e makinës. Rrjedhja e këtyre të dhënave na ekspozon ndaj dëmeve ekonomike, të sigurisë, reputacionit apo dinjitetit njerëzor. Dixhitalizimi i shërbimeve duhet të ecë paralelisht me ngritjen e e standardeve të sigurisë që mundësojnë ruajtjen e të dhënave sensitive dhe personale të subjekteve.
Nga ana tjetër, vendimi për dixhitalizimin e plotë të ofrimit të shërbimeve pa qenë ende në gjendje për të ofruar një shërbim optimal dhe një kanal informacioni për publikun ka sjellë probleme të shumta veçanërsisht në çështjet e lidhura me dokumentet e pronësisë.
Mbyllja e të gjitha sporteleve fizike të shërbimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës solli vonesa të gjata në marrjen e shërbimit dhe shpesh çoroditje të plotë për qytetarët. Për sa kohë ekzistonte një zyrë apo sportel fizik, së paku duke ndenjur në radhë mund të përpiqeshe të merrje informacion se çfarë po ndodhte me aplikimin për marrjen e shërbimit. Dixhitalizimi i plotë i shërbimit bëri që shpesh qytetarët të gjendeshin pa asnjë sqarim apo përgjigje për vonesat në marrjen e shërbimit.
Një problem tjetër është pamundësia e kryerjes së pagesave të shërbimeve publike online.
Në verën e vitit 2022, portal i shërbimeve dixhitale publike, e –albania, pësoi një sulm të rëndë kibernetik që shkaktoi vjedhjen e të dhënave personale të shtetasve shqiptarë dhe mungesë disajavore të ofrimit të shërbimeve publike nga kjo platformë.
Deri në momentin e sulmit, nëpërmjet e-albania mund të kryheshin pagesa për shërbime të veçanta publike, të ofruara vetëm nga një bankë tregtare, nëpërmjet një POS virtual (shërbimit e-commerce). Por, pas sulmit kibernetik edhe kjo mundësi e vetme u pezullua, madje vetë banka në fjalë u bë objekt i një sulmi serioz kibernetik.
Në muajin mars, njëra nga bankat tregtare nisi ofrimin e shërbimit të pagesave nga e-albania. Megjithatë, sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave kryerja e pagesave online është e mundur vetëm për dy shërbime./E.Shehu
Burimi: Sondazhi i “Monitor”/ Monitor.al