Sonte në Riga të Letonisë, Kombëtarja luan përballë vendasve, ku tre pikët kanë një rëndësi jetike për synimin e kualifikimit në Botërorin e vitit të ardhshëm.
Trajneri Silvinjo pritet të bëjë disa ndryshime në formacionin që luajti ndaj Serbisë në Tiranë.
Në portë do të jetë sërish Strakosha, ndërsa qendra e mbrojtjes pritet të jetë Ismajli-Kumbulla, pasi kapiteni Gjimshiti mungon për shkak kartonësh, ndërsa Ajeti ka shfaqur probleme muskulore në stërvitje. Nga e majta do të luajë Mitaj, ndërsa në të djathtë pritet që Balliu të marrë vendin e Hysajt.
Dyshja e mesfushës pritet të jetë sërish Asllani-Shehu, me Bajramin përpara si trekuartist. Nga e majta e sulmit ka balotazh mes Hoxhës dhe Muçit; po ashtu, Manaj dhe Daku rivalizojnë për një vend në majën e sulmit. Broja e nis sërish nga e djathta e sulmit.
Silvinjo tha se synimi i vetëm janë tre pikët, por edhe vendasit synojnë të marrin pikë nga kjo përballje.