Julian Shehu ka folur në prag të sfidës së sotme mes Polonisë dhe Shqipërisë, një ndeshje shumë e rëndësishme për kuqezinjtë që do të luhet në mbrëmje. Mesfushori shqiptar, i cili aktivizohet në kampionatin polak, ka dhënë mendimin e tij mbi kundërshtarin dhe atmosferën që rrethon këtë përballje.
Sipas Shehut, në kampin polak ekziston një ndjenjë e theksuar euforie, pasi e shohin veten favoritë ndaj Shqipërisë. Megjithatë, ai thekson se kjo mund të kthehet në një avantazh për ekipin shqiptar.
Ai u shpreh se Polonia ruan të njëjtin mentalitet si në përballjet e mëparshme, pavarësisht ndryshimeve në stol, ndërsa cilësia e lojtarëve nuk vihet në diskutim. Por, sipas tij, nënvlerësimi i kundërshtarit mund të jetë pika e tyre më e dobët.
Shehu theksoi se Shqipëria duhet të përfitojë nga kjo situatë, duke qëndruar e përqendruar dhe duke dhënë maksimumin në fushë. Ai shtoi se diferencat mes dy skuadrave nuk janë të mëdha dhe se gjithçka mund të vendoset nga detajet në një ndeshje të tillë.
