Vitet e fundit vështirë të ketë patur El Clasico me pritshmëritë e asaj që luhet sonte në “Santiago bernabeu”. Që nga epoka Ronaldo-Mesi vështirë që një klasike të jetë pritur me kaq padurim.
Reali kampion i Evropës dhe i Spanjës pret në shtëpi një Barcelonë të rilindur si në kohët e arta nën drejtimin e Hansi Flik.
Katalanasit kryesojnë me tre pikë më shumë se rivalët e përjetshëm ndërsa treshja e sulmit Rafinja-Levandovski-Jamal e kanë nisur furishëm duke shënuar 29 nga 43 golat në total të skuadrës.
Rikthimi i Gavit pas një viti mungesë ka rritur ndjeshëm optimizmin brenda grupit ndërsa Pedri po shfaq pjesët më të mira nga repertori i tij.
Disfata me Osasunën në transfertë mbetet e vetmja humbje në kampionat, ndërkohë që në mesjavë të besuarit e Hansi Flik i dhanë një leksion Bajernit të Mynihut në Champions duke e mposhtur 4-1.
Në kampin rival po shijohet një Vinicius Zhunior i papërmbajtshëm.
Fituesi i pritshëm i Topit të Artë dhuroi një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Borusias së Dortmundit në mesjavë në fitoren 5-2 duke qenë lideri madrilen në pritje që Kilian Mbape të marrë kohën e plotë për t’u përshtatur me grupin e ri.
Reali kërkon të tregojë stofin e kampionit në një kohë që Barcelona ka rikthyer kujtimet e ekipit që mund çdo rival me dominim dhe goleadë.
Klasikja e mbrëmjes së sotme mund të ofrojë gjithçka në një sezon që premton shumë rivaliet mes dy ikonave të futbollit spanjoll.