Zvicra pret sonte Kosovën në Bazel, në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2026, një sfidë që është shoqëruar me debate të shumta ditët e fundit.
Shkak për polemika është bërë vendimi i mesfushorit 21-vjeçar, Leon Avdullahu, për të përfaqësuar Kosovën, ndonëse më herët kishte luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës. Ky hap ka shkaktuar reagime në opinionin sportiv helvetik, duke e rritur ngarkesën emocionale para ndeshjes.
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, u kërkoi futbollistëve të qëndrojnë larg zhurmës mediatike, duke theksuar se dardanët tashmë kanë një brez të talentuar që mund të arrijë rezultate të mëdha. Ai u shpreh i bindur se skuadra do të paraqitet me dinjitet dhe karakter përballë Zvicrës.
Nga ana tjetër, trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, u tregua mirëkuptues për zgjedhjen e Avdullahut, duke kujtuar se edhe vetë dikur ishte përballur me një dilemë të ngjashme mes Zvicrës dhe Turqisë, vendit të origjinës. Ai gjithashtu vlerësoi rritjen e dukshme të Kombëtares së Kosovës, duke paralajmëruar një sfidë të fortë në Bazel.
Në këtë ndeshje pritet një mbështetje e madhe nga tifozët shqiptarë, të cilët do të jenë të pranishëm në stadium për të përkrahur Kosovën.