Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar miliarderin George Soros dhe djalin e tij Alex Soros, duke kërkuar që ata të ndiqen penalisht sipas ligjit federal për krimin e organizuar, të njohur si RICO.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump i akuzoi Sorosët se kanë mbështetur protesta të dhunshme që, sipas tij, kanë shkaktuar dëme të mëdha në vend. “Soros dhe djali i tij duhet të akuzohen për RICO. Këta janë psikopatë. Shokë të çmendur të Bregut Perëndimor, kini kujdes, po ju mbikëqyrim,” shkroi presidenti.
Fondacioni “Open Society Foundations”, i themeluar nga George Soros dhe i drejtuar që prej vitit 2023 nga Alex Soros, reagoi duke hedhur poshtë akuzat. Një zëdhënës i fondacionit deklaroi se organizata ka si qëllim promovimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë dhe nuk ka asnjë lidhje me financimin e dhunës.
Deklaratat e Trump-it erdhën në një kohë kur ai vetë përballet me akuza sipas ligjit RICO në shtetin e Georgias, lidhur me përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Ndërkohë, sipërmarrësi Elon Musk reagoi në mbështetje të qëndrimit të presidentit, duke shkruar se është “koha për të marrë masa direkt ndaj Sorosit.”
Mediat ndërkombëtare i kushtuan vëmendje të menjëhershme kësaj deklarate. Financial Times dhe Reuters nënvizuan ashpërsinë e gjuhës së përdorur nga Trump dhe mungesën e provave konkrete për akuzat, ndërsa The Daily Beast e interpretoi këtë lëvizje si pjesë të fushatës së tij politike për të sulmuar figurat dhe donatorët e lidhur me Partinë Demokratike.