Sot është heshtje zgjedhore, ndërkohë që nesër zgjedhësit u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e 14 majit.
Fushata ishte përgjithësisht e qetë, por ditët e fundit palët kanë shtuar akuzat reciproke për shit-blerje të votave.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredi Beleri u arrestua me akuzën e blerjes së votës, ndërkohë që raportime për shit-blerje të votës vijnë dhe nga disa zona të tjera.
Në Shkodër, policia vendore arrestoi dy punonjës të bashkisë me dyshimin se po shpërndanin ushqime me qëllim tjetërsimin e votës.
Po ashtu, në Dibër dy punonjës të kësaj bashkie u shoqëruan në polici me dyshimin se po blinin vota, por më pas u lanë të lirë.
Incident pati dhe në Kukës, ku disa mbështetës të opozitës akuzuan vëllain e kryebashkiakut, Safet Gjici për kanosje dhe kërcënim me armë. Sipas tyre, Lavdrim Gjici po blen vota në Kukës dhe institucionet hezitojnë të reagojnë.