Nga Ermal Mulosmani

Arrestimi i njerëzve të afërt të Berishës dhe ngushtimi i lakut rreth qafës së tij ishte lajm i pritshëm. Ditë pas dite, sa herë që arrestohej një hajdut qeveritar rriteshin shanset e kompensimit nga krahu tjetër. Nëse do të vija bast se kush do të ishte i pari gjithmonë do të isha në dilemë mes djalit apo dhëndrit. Por nuk kam pasë asnjë dilemë që arrestimet do të ndodhnin. 

A mu dhimbt Berisha? Padyshim që po.

Personalisht nuk kam pasë njohje deri para 3-4 vitesh, as kam përfituar nga pushteti i tij. Shumicën e kohës së mandatit të tij të dytë (2005-2013) e kam kaluar pa punë e në vështirësi megjithëse bëra një tentativë për t’u afruar por u refuzova. 

Megjithatë asnjëherë nuk pata mllef për të. Isha si me thënë indiferent por me një qasje pozitive, një dëshirë t’i ecte politikisht. Më pat impresionuar ringritja e tij politike pas 97-ës. Si arriti nga një i vdekur politikisht, i mallkuar nga 70% e shqiptarëve dhe i hedhur poshtë në mënyrë demonstrative, si leckë, nga shteti më i fortë në botë, të ringrihej dhe të merrte edhe një herë pushtetin?! Ka qenë impresionuese.

Berisha gaboi edhe në mandatin e dytë. Gërdeci mund të ishte një aferë e mirë, joshëse dhe e parrezikshme në nisje por shpërthimi (aksidental apo i qëllimshëm) ishte bombë në karrigen e tij kryeministrore. Berisha e bleu heshtjen për Gërdecin me kompromis në kurriz të opozitës: i dha Kryemjeshtrit të Intrigës, Edi Ramës, mekanizmin për të sunduar për sa kohë të dojë dhe me pushtet ekzekutiv të pakufizuar Shqipërinë. Ndryshimet kushtetuese të ndodhura një muaj pas Gërdecit janë dëmi më i madh që i është bërë ndonjëherë të ardhmes së demokracisë dhe janë mëkati më i madh politik i Berishës.

Mëkati i dytë i madh është mosdorëzimi i pushtetit në Janar 2011. Mbrojtja e Metës pas bllokut ishte fillimi i fundit të tij. Të tjerat janë pasoja të këtyre dy gafave politike.

Berisha është fiks rasti i personit që ambicia ia kaloi talentin. Ai erdhi në politikën e madhe me dritëhije por me entuziazëm e besim të pashoq. Ai kishte formim dhe mendësi totalitare dhe nuk arriti të shkëputej nga ai formim. E donte pushtetin po aq  sa e kishte diktatori pavarësisht se nuk ishte më në diktaturë. Futi precedentin e vjedhjeve të zgjedhjeve dhe u soll me amerikanët si Enveri. Nuk ka këllqe Shqipëria t’u thotë jo gringove. Reformat ishin improvizime, të pastudiuara e shpesh të dështuara. Pjesë e mendësisë totalitare ishte edhe kontrolli i drejtësisë duke i kthyer gjyqtarët dhe prokurorët në shushunja që thithnin të drejtën nga trupi i të vobektëve për ta injektuar në atë të parelinjve. I vetmi merak i tyre ishte të ishin mirë me Berishën. Të tjerat kishin fushë të lirë…

Nejse, është kollaj tani të flasësh.

Kur erdhi në politikë, megjithë kufizimet, kisha një prirje për ta pëlqyer sepse ishte nga Tropoja, vendlindja ime. E kam votuar në 1992, 1996, 2005. Herët tjera votoja parti aleate të tij në koalicion por kurrë majtas. Kisha një thirrje të brendshme për të mos e mohuar edhe kur e ndjeja se po vepronte gabim. E bënte me naivitet, nga shtysat entuziaste të ambicies pakufi, dëshirës për të mbetur në histori. Gaboi me njerëzit që afroi, që u dha besim. E pëlqente dhe e pëlqen servilizmin si çdo autokrat.

Kur erdhi në 2005-ën kisha një parandjenjë të keqe për të. Kur e dorëzoi pushtetin dhe e mbylli karrierën u gëzova. Thashë shpëtoi. 

Mirëpo jo, haqet e vjetra iu rikthyen. Fundi i tij erdhi në Majin e 2021-it. Nuk kishte asnjë mundësi të shpëtonte, ishte zgjedhur të ishte viktima. 

Gabimi i tij i madh i kohëve të fundit ishte vazhdimi i karrierës politike pas 6 Marsit 2022. Aty pati shansin të spostohej, të hapte rrugën. Aso kohe  pata shkruar “Nëse do isha djali i Berishës”, një thirrje për tërheqje. Le t’ua dorëzonte Partinë të rinjve dhe të thoshte “ua hoqa atë palaçon që u kisha vënë në krye, tani zgjidhni vetë kë të doni”. Do t’i bënte një shërbim Partisë por edhe vetes. Por jo. Qysh atë ditë filloi rënia e pandalshme. 

Sot më vjen keq për të, është shumë vonë për ta turpëruar…

Ambicia ia kaloi talentin. Mjeshtrit e intrigave i shfrytëzuan me diabolizëm defektet e tij të karakterit për të krijuar përshtypjen se Berisha është Kuçedra që ka bllokuar ujin e shqiptarëve dhe pas “vrasjes” së tij ne do të shpëtojmë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *