4 shtator 1872 – 3 korrik 1945

Sotir Kolea ishte leksikograf, folklorist, publicist, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare në vitin 1928.

Një nga organizatorët e Kongresit të Triestes dhe pjesëmarrës në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1928–1945 kontribuoi në zhvillimin e vlerave kulturore kombëtare. Është meritë e tij ngritja e Muzeut Kombëtar, vendosja e Bibliotekës Kombëtare mbi baza shkencore dhe pasurimi i fondit të librave dhe dokumenteve me vlera të veçanta. Kolea shtoi fondin e bibliotekës me 14.000 tituj të rinj, zbuloi dhe mblodhi dokumente për Skënderbeun dhe një sërë personalitetesh të tjera kombëtare. Ishte një nga anëtarët e Institutit të Studimeve Shqiptare.

Kolea ka lënë një trashëgimi të madhe gjuhësore me pesë fjalorët e hartuar prej tij, si edhe shumë shënime të tjera, të cilat ruhen në fondin e tij personal në AQSH.

Lozanë, 24 dhjetor 1915

Për Z. Midhat Bej Frashëri

6, Ulitza Tsar Siméon

Sofia

I dashur Midhat Bej,

Zotëroj letrën tuaj të datës 6 të këtij muaji; mora gjithashtu gazetat që përmendeshin në të, të cilat ia dorëzova Z. Gode, të voglit, që të kujdeset për dërgimin e tyre së bashku me numrin e ardhshëm të [gazetës] Albanie.

Ia komunikova letrën tuaj Doktorit, që më ngarkoi t’ju falënderoj për adresat; për sa i përket çështjes Cilka, premtoi se do të bënte gjithçka të mundur deri në fund.

Që këtej, asnjë lajm për t’ju përcjellë; mblidhemi vazhdimisht po të njëjtët në kafene dhe presim ngjarjet; e për të shtyrë orët e pritjes, hartojmë plane strategjike nën vështrimin atëror e qesëndisës të Tahsin Pashës – një palë që eklipson palën tjetër për pushtimin e kurdëve dhe fitoren ndaj Egjyptit!

Prej disa kohësh kemi mes nesh Imzot Kaçorrin. Veç Hysniut, ndodhen Z. Ali Bej, Sherif Frashëri dhe Mehdi Bej Zavalani, të cilët, me sa di unë, janë disi të afërm me ju apo të lidhur me krushqi. Ali Bej ka ardhur për të vizituar zonjën e tij (çupën e Eshref Beut nga Pogradeci) dhe Habdi Bej për të marrë veten nga ana shëndetësore.

Prej 2–3 ditësh ndodhet në Lozanë Surja Bej Vlora. Ajet Bej, megjithëse premtoi, nuk u kthye më në Lozanë dhe me siguri ka shkuar në Korfuz pranë familjes.

I shkruajnë Abdi Beut nga Durrësi se misri shitet tetë piastra oka; ky ishte çmimi para zbarkimit të pjesës më të madhe të serbëve të dëbuar nga Maqedonia; tani, veç urie duhet të ketë atje. Po ashtu, i shkruajnë Abdi Beut se në postin e guvernatorit të Durrësit është emëruar Xhemil Bej Vlora dhe në kryesinë e bashkisë Qemal Bej Vrioni.

Në Berat është Sami Bej Vrioni, që mban prej mjaft kohësh postin e guvernatorit, ndërsa Teki Bej Frashëri mundi t’u shpëtonte thonjve të Esatit falë punës së kryer me devotshmëri.

Ja tërë bagazhi i lajmeve të mia; por më fal, desh harrova më kryesoren: që prej disa kohësh jam shkëputur nga ata zotërinj, ose më mirë të them, nga ajo zonjë – gazeta; s’kishte si të ndodhte ndryshe, kur ju, nga ana juaj, e kishit parashikuar një gjë të tillë në kohën e duhur.

Ju pata shkruar më 15 nëntorin e shkuar dhe disa ditë më pas ju dërgova edhe një kartolinë nga ana e Abdi Beut.

U takova dje në darkë me Hivziun; i ka mbaruar provimet tremujore dhe tani s’i mbetet veç të përfitojë me gëzim nja dhjetë ditë pushime.

Përshëndetje shumë të çiltëra,

SKl

Burimi: Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”

By Editor