Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme kanë kërkuar sqarime nga Policia e Shtetit lidhur me mospraninë e uniformave blu gjatë protestës ku u rivlerësua masa e sigurisë për Erion Veliajn.
Në letër, ndër të tjera thuhet se mosveprimi në një rast të tillë, kur gjykohet një zyrtar i nivelit të kryebashkiakut të Tiranës, cënon rëndë standardet e sigurisë.

“Nëpërmjet mosveprimeve të saj, Policia e Shtetit ka kontribuar në pengimin e Gjykatës së Posaçme në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe ligjore për të gjykuar në një ambient të sigurt dhe të qetë, si dhe për të garantuar jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe personelit administrativ. Nëpërmjet shkresës më sipër, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i është drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që të marrin masat e duhura për vënien përpara përgjegjësisë administrative apo ligjore të gjithë personave përgjegjës të Policisë së Shtetit, të cilët nuk kanë marrë masat e duhura, në zbatim të ligjit, për të shmangur apo monitoruar këtë situatë të paprecedentë. Po ashtu, kjo gjykatë ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion e gjithë procedura ligjore e ndjekur dhe plani i masave që janë marrë në rastet e ngjashme, sikurse gjatë protestave të datave 6.12.2024 dhe 06.01.2025, si dhe një shpjegim i argumentuar dhe me prova pse nuk është ndjekur e njëjta praktikë edhe në rastin e incidentit të datës 12.02.2025”, – thuhet mes të tjerash në reagimin e SPAK dhe GJKKO.