SPAK ka vendosur të çojë për gjykim dosjen ndaj ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, dhe disa të pandehurve të tjerë të përfshirë në hetimin për abuzime me tenderat e ARRSH. Lajmi u konfirmua për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.

Berberi akuzohet zyrtarisht për tre vepra penale: shkelje të barazisë në tendera, korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Ndërkohë, Valter Begaj përballet me akuzat për korrupsion aktiv, mashtrim me pasoja dhe pastrim parash. Gent Gjyli akuzohet për dy raste të shkeljes së barazisë në tendera në bashkëpunim, ndërsa Erald Elezi për të njëjtat vepra në dy episode të veçanta.

Në seancën e mëparshme, Berberi kërkoi gjykim të shkurtuar dhe pretendoi se një pjesë e akteve hetimore, përfshirë të dhënat e marra nga celularët e tij të sekuestruar, duhen shpallur të pavlefshme. Sipas avokatëve të tij, celularët janë sekuestruar vetëm me urdhër të prokurorit dhe jo me vendim gjykate, gjë që sipas tyre cenon ligjshmërinë e provave, duke iu referuar vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Nga ana tjetër, Valter Begaj, ish-ortak i Berberit, si dhe kompanitë “DAAM shpk” dhe “Net Grup”, kanë kërkuar rikthimin e çështjes për hetime të mëtejshme. Begaj ka dhënë shpjegime të detajuara para Gjykatës së Posaçme lidhur me kompaninë “DAAM”, të cilën, sipas SPAK, e kontrollonte në mënyrë të tërthortë Evis Berberi, ndërsa kompania fitonte tendera nga institucionet që ai drejtonte.

SPAK ka deklaruar se të dhënat e nxjerra nga celularët e sekuestruar në banesën e Berberit kanë çuar në hapjen e disa procedimeve të tjera penale. Mes tyre, është ngritur akuzë për shkelje të barazisë në tendera në bashkëpunim edhe për zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, lidhur me tenderin e tunelit të Llogarasë dhe tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *